Janë publikuar shumë shkrime e kuriozitete në shtypin shqiptar, rreth sekretarit të ri amerikan të Shtetit Antony Blinken. Hebre, frankofon, europianist dhe diplomat i vjetër i linjës së fortë, ai ka qenë për gjashtë vite krahu i djathtë i Presidentit Bajden në Senat dhe e njeh shumë mirë shërbimin diplomatik amerikan, ku ka shërbyer si zv.sekretar Shteti.

Blinken ka detyrën delikate të rivënies në ekuilibër të politikës së jashtme amerikane, pas katër viteve të “Amerika e para” të Donald Trump. Irani, Kina dhe rikonsolidimi i aleancave tradicionale, janë në krye të axhendës së tij pas 20 janarit.

Por sekretari i ri amerikan i Shtetit ka edhe një lidhje specifike me Shqipërinë, e cila mund të rezultojë e rëndësishme në muajt e ardhshëm. Në kohën kur ai ka shërbyer si zv.sekretar i Shtetit, mes viteve 2015-2017, shefja e tij e kabinetit ka qenë ambasadorja e sotme amerikane në Tiranë Yuri Kim. Kjo rrethanë pak e njohur mund të rezultojë e rëndësishme në vendimet që administrata e re amerikane e Xho Bajden do të marrë për vendin tonë, në një vit delikat si viti zgjedhor ku po hyjmë.

Nga ana tjetër, me një administratë më miqësore pas krahëve, se ajo e Donald Trump, mund të imagjinohet lehtësisht se edhe pesha e Yuri Kim në Tiranën ku jo rrallë ambasadorët janë parë me sy negativ nga një pjesë e politikës, do të jetë më e madhe dhe decizive.