Gigi Buffon nuk e ka tretur ende humbjen në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve kundër Manchester United, kur mbante veshur fanellën e PSG-së. Ai tha për L’Equipe: Mendoj për atë lojë tri ose katër herë në javë, më zgjon kaq shumë keqardhje. Ky është kujtimi më i gjallë i përvojës pariziene për portierin e Juventusit, i cili, megjithatë, shprehu edhe fjalë lavdërimi për klubin francez: Unë isha sigurisht shumë mirë atje, te PSG nuk më mungonte asgjë. U preka shumë nga vlerësimi dhe respekti i tifozëve për mua.

Buffon mbush 43 vjeç më 28 janar. Ai analizon eleminimin e zjarrtë të 6 marsit 2019, kur, në Parce des Princes, PSG u mund 3-1 nga Djajtë e Kuq, pasi fitoi ndeshjen jashtë fushe, 2-0: E fajësoj veten time për një gabim të pabesueshëm, një gabim që, me përvojën që kam fituar, nuk duhej ta kisha bërë. Mendërisht, atë mbrëmje, ndërsa loja po afrohej, nuk isha Gigi i zakonshëm. Më mungonte përqendrimi i duhur.

Nuk kisha forcë dhe as energji për të ndjerë se po e merrnim lehtë një ndeshje të tillë. Dhe ndoshta, për të mos qenë plaku që i qorton të gjithë, nuk iu thashë shokëve të skuadrës: O djema, nuk jemi sa duhet të karikuar. Kjo nuk do të kishte ndodhur te Juventusi. Isha i sigurt se atë sezon do të arrinim në finale të Championsit, por…