Buxheti i vitit 2021 është konsideruar si buxheti i rimëkëmbjes, pas dy goditjeve të njëpasnjëshme që mori vendi, tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe pandemia e shkaktuar nga virusi Sars-cov-2. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se qeveria shqiptare është e angazhuar në konsolidimin e financave publike përgjatë viteve të ardhshme, por mbi të gjitha në zbatimin e një buxheti që siguron mbështetje për shëndetësinë, shtresat në nevojë dhe kthimin e qytetarëve të prekur nga tërmeti në banesat e tyre të rindërtuara.

Buxheti i vitit 2021 siguron financimin publik më të madh për shëndetësinë, një buxhet që mbështet mbrojtjen e shëndetit publik dhe profesionistët e shëndetit me rritjen e pagave me 40%. Po ashtu, garanton investime madhore në shëndetësi, nga investimet në dy maternitetet e Tiranës, përfundimin e materniteteve të Kukësit, Beratit dhe Lezhës, tek investimi në pediatrinë e Elbasanit, në spitalin e Shkodrës dhe vijimin e programit të rehabilitimit të qendrave shëndetësore nga veriu në jug.

Buxheti garanton mbështetje për fëmijët e porsalindur me bonusin e bebes dhe sigurimin e mbështetjes për personat që përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar dhe familjet në ndihmë ekonomike.

Në të njëjtën kohë në buxhetin e vitit 2021 janë parashikuar 28 miliardë lekë për Rindërtimin pas tërmetit. Përmes buxhetit të vitit që vjen është siguruar edhe rritja e pagave për mësuesit në të gjithë vendin me 15%. Ndërkohë niveli i investimeve është parashikuar 7.2% e PBB-së ose 122 miliardë lekë.