Tre fitore radhazi në kampionat, që bëhen 4 bashkë me suksesin në Gjermani ndaj Borussias së Dortmundit, kanë rikthyer qetësinë dhe optimizmin në klubin e Interit, megjithatë në grup ka ende një çështje që nuk po merr zgjedhjen e duhur.

Bëhet fjalë për danezin Christian Eriksen, i cili erdhi me bujë të madhe në janar te zikaltrit, por gjatë thuajse një viti nuk ka arritur të lërë gjurmë dhe shpesh është nisur nga pankina.

Kanë mjaftuar disa ankesa në mediat daneze për aktivizimin e paktë, që Conte ta marrë personale me Eriksen dhe të luajë me nervat e danezit, teksa mbrëmë për herë të tretë në 4 ndeshjet e fundit, u aktivizua në minutat e fundit.

Pasi luajti pak më tepër se 5 minuta ndaj Realit të Madridit e Sassuolos, danezi u poshtërua sërish nga trajneri Conte mbrëmjen e djeshme, pasi u aktivizua në minutën e parë shtesë nga tre të tilla, në një moment kur gjithçka kishte mbaruar.

Kaq mjaftoi që menjëherë pas vërshëllimës finale të arbitrit, danezi të mos iu bashkohet festës së shokëve për fitoren, por të vrapojë drejt dhomave të zhveshjes, i zhgënjyer tej mase nga vendimi i trajnerit.

Ndonëse me fanellën e Interit nuk po arrin të përshtatet dhe të japë atë që ka bërë me Ajaxin e Tottenhamin, Eriksen mbetet ende një nga futbollistët më të mirë në qarkullim, ndaj aktivizimi për të fituar sekonda është i tepërt për të.

Megjithatë danezi është i detyruar të bashkëjetojë me Conten deri në janar, kur të hapet merkatoja, pasi tashmë i ka valixhet gati dhe gjasat janë që të rikthehet menjëherë në kampionatin anglez, aty ku ka shkëlqyer për vite me Tottenham.

Nga ana tjetër, i pyetur për këtë çështje pas ndeshjes, Antonio Conte mohoi ta ketë bërë atë zëvendësim për poshtërim dhe u shpreh se ka marrëdhënie optimale me Eriksen dhe se çdo vendim e merr për të mirën e Interit.