Mjeku epidemiolog Artan Simaku tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se vërehet një trend i lehtë në rënie i pozitivitetit për shkak të masave të marra më herët për kufizimin e orarit të lëvizjes. Në një intervistë për ATSH-në, Simaku u shpreh se masat kufizuese kanë dhënë efektin e tyre por kjo sipas tij nuk përkthehet në ulje të vigjilencës dhe kujdesit nga ana e qytetarëve. Për testimet e shpejta, mjeku sqaroi se tanimë aplikimi është shtrirë edhe në qytetet e tjera. “Si procedurë po ecën normalisht sepse janë shpërndarë në qendrat shëndetësore, në Tiranë, janë 6 qendra, edhe në rreth ka filluar procesi po ecën shumë mirë. Pra, menaxhohen nga mjeku i familjes. Testimi i shpejtë është një ndihmë më tepër sepse edhe koha e përgjigjes është shumë e shkurtër. Pra, është një ndihmë e shtuar në menaxhimin e rasteve dhe kontakteve”, tha ai.
Për situatën epidemiologjike, Simaku shpjegoi se “vërehet një trend i lehtë në rënie i pozitivitetit si pasojë edhe e masave të marra edhe hetimit të shpejtë por edhe masave kufizuese që janë marrë para disa javësh kanë dhënë efektin e tyre”. I pyetur për variantin e ri të koronavirusit, mjeku tha se “kjo është një gjë që po i intereson të gjithë kontinentit europian jo vetëm vendit tonë. Aktualisht raste jashtë Anglisë janë vërejtur vetëm në Holandë dhe në Belgjikë që janë edhe shumë afër me Anglinë që kanë edhe udhëtime të shpeshta, për këtë arsye të gjithë shtetet e Europës, edhe Shqipëria kanë ndërprerë fluturimet me Mbretërinë e Bashkuar dhe rekomandohet nga OBSH përforcimi i survejancës për personat që kanë histori udhëtimi në këtë shtet dhe testimi i tyre për të parë nëse janë të prekur me këtë variant të ri apo jo. Gjithashtu, OBSH u rekomandon të gjithë shteteve që të testojnë, të bëjnë analizat gjenetike për të evidentuar praninë ose jo të këtij varianti të ri të COVID”.
Lidhur me rrezikshmërinë apo jo të variantit të ri të COVID, mjeku Simaku tha për ATSH-në se “me të dhënat aktuale nuk rezulton që është më i rrezikshëm por ka transmetueshmëri më të lartë, pra përhapet më shpejt sesa varianti i mëparshëm. Në lidhje më ashpërsinë kimike apo vdekshmërinë, nuk ka ndonjë ndikim. Me të dhënat e deritanishme nuk ka ndikim, vetëm se prek një numër më të lartë personash”.
Në prag të festave të fundvitit, mjeku bëri apel për të rritur vigjilencën dhe shmangur festime në grumbullime. “Duke marrë shkas për vetë natyrën e festave që ka kontakte të shtuara, janë marrë edhe këto masat e kufizimit të orarit, pra duke filluar nga ora 20.30 deri në orën 6.00 të mëngjesit dhe mbyllja e lokaleve, bareve, restoranteve etj sepse do të ishin vatra të transmetimit të virusit. Këto masa janë marrë edhe nga shtete europiane, për arsye të eleminimit të kontakteve të shtuara gjatë kësaj periudhe’’, u shpreh mjeku Simaku për ATSH-në.