Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë zhvilluar një komunikim online me anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve të Shqipërisë dhe Komitetit Shkencor të Pandemisë të Republikës së Turqisë, për masat për përballimin e pandemisë COVID19. Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar punën e Komitetit Teknik të Ekspertëve të Shqipërisë, duke i konsideruar si profesionistë që, siç u shpreh ai “nuk kanë asgjë mangët nga kolegët e vendeve të tjera”.
Përfaqësuesi i Komitetit Shkencor të Pandemisë së Republikës së Turqisë, Prof.Recep Öztürk vlerësoi masat e marra nga Shqipëria. “Kemi parë dhe nga afër gjithë sisitemin se si funksion tek spitalet shqiptare. Është vënë re se mënyrat më të specializuara janë duke u praktikuar. Uroj që në luftën kundër Covid të arrini rezultate të larta”, nënvizoi Prof.Recep Öztürk. Gjatë komunikimit të përbashkët, prof. Mira Rakacolli, në cilësinë e drejtueses së Komitetit Teknik të Ekspertëve u shpreh se situata epidemiolgjike në vend është e qëndrueshme. “Situata ka ndjekur atë tendencë të rritjes së rasteve si në shumë vende të tjera dhe është një rritje e qëndrueshme. Kohët e fundit ashtu si është referuar dhe në komunikimet e përditshme ka një ulje të të sëmurëve në spitale dhe një ulje të pozitivitetit, e cila ka ardhur si pasojë e masave me intensitet mesatar të vendosura para disa javësh. Po monitorojmë në vazhdimësi situatën epidemiologjike dhe në bazë të treguesve do të mbajmë qëndrimet në momentin e duhur”, tha Rakacolli.
Prof. Silva Bino, shefe e Epidemiologjise dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, nënvizoi se situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, ndërkohë që është rritur ndjeshëm numri i testimeve.
“Vihet re se kohët e fundit kemi një tendencë në ulje jo vetëm të numrit të rasteve, por edhe të pozitivitetit. Situata paraqitet e qëndrueshme. Kemi 4-fishuar numrin e testimeve duke tejkaluar edhe normën e 1% të popullatës në muaj. Testet kryhen kryesisht në laboratore publike dhe me futjen e testiti të shpejtë, shkurtohet koha e marrjes së përgjigjies dhe bëhet më shpejt hetimi dhe izolimi i rasteve”, tha Bino. Komiteti Shkencor i Pandemisë së Republikës së Turqisë i përbërë nga infeksionistë, epidemiologë, specialistë të shëndetit publik prej dy ditësh po zhvillojnë një vizite në Shqipëri për të shkëmbyer eksperiencat me Komitetin Teknik të Ekspertëve të Shqipërisë, për menaxhimin e situatës së pandemisë së Covid19.