Biontech-Pfizer e mori lejen e posaçme për vaksinën në Britaninë e Madhe dhe filloi menjëherë me furnizimin. Por pikërisht transporti i vaksinës është proces mjaft delikat, sepse kërkohet ngrirja e thellë e përbërësve.
Që në javën e ardhshme mund të fillojë vaksinimi kundër COVID-19 në Britaninë e Madhe. Deri atëherë priten nga autoritetet rreth 800.000 doza vaksine të Biontech dhe Pfizer. “Kemi filluar menjëherë me furnizimin”, thotë Özlem Türeci, drejtuesja mjekësore dhe bashkëthemeluese e Biontech në një konferencë shtypi.” Të dyja firmat kanë aplikuar për leje të posaçme emergjence në SHBA dhe BE. “Autoritetet përkatëse janë vërtet të pavarura nga njëra-tjetra”, thotë Thomas Schiessle, ekspert i farmaceutikës në qendrën analitike Equi.ts në Frankfurt, “por mund të thuhet, se nëse njëri e ka marrë në shqyrtim dhe e ka vlerësuar pozitivisht vaksinën, të tjerët nuk do duan të qëndrojnë në fund.”
Vaksina ka nevojë për ftohje – ende
Prodhimi dhe përgatitjet për ofrimin e vaksinës menjëherë pas dhënies së lejes janë duke u zhvilluar me ritme intensive prej kohësh tek firmat teknologjike dhe logjistike. Në rastin e vaksinës së Biontech-Pfizer luan rol vendimtar konservimi në temperatura të ulta. Vaksinat mjaft të ndjeshme duhet të ruhen rregullisht dhe transportohen në temperatura minus 70 gradë celcius.
Të dyja sipërmarrjet bioteknologjike zotërojnë transportues të posaçëm që bazohen tek teknologjia e akullit të thatë. Brenda tyre do të transportohen vaksinat në drejtim të Britanisë së Madhe. Për t’i përdorur vaksinat edhe në qendra më të vogla vaksinimi, është e mundur që vaksina të mbahet në frigoriferë të zakonshëm mes dy deri në tetë gradë për deri në pesë ditë.
Për vitin e ardhshëm, kreu i Biontech, Ugur Shahin ka bërë të ditur, në një intervistë me CNN, se do të ketë variante të tjera të vaksinës, që nga ana logjistike është më pak e vështirë për t’u transportuar. Bashkëpunimi i Biontech me Pfizer ka rezultuar pozitiv. Pfizer është një koncern ndërkombëtar farmaceutik me shumë përvojë dhe rrjet organizativ e logjistik të fuqishëm. Pfizer është në 120 vende aktive. Për transportin në Kinë, Biontech po punon me një sipërmarrje kineze, Fosun.
Përgatitja logjistike
Deri më tani ka parakontrata si me Britaninë e Madhe ashtu edhe me vende të tjera, BE natyrisht edhe me Gjermaninë. Jemi të përgatitur për të furnizuar të gjitha vendet. Edhe pse autoritetet në Britaninë e Madhe qenë të parët që e kanë lejuar vaksinën, do kihet kujdes për shpërndarje të drejtë të saj, thuhet nga sipërmarrja. Për furnizimin e Britanisë së Madhe do të luajë rol të rëndësishëm qendra prodhuese e Pfizer në Belgjikë, Puurs. Përveç kësaj, Biontech do të prodhojë vaksinën në fabrikat e saj në Mainz dhe Idar-Oberstein. Vitin e ardhshëm do të fillojë prodhimi në fabrika të tjera si në Marburg, që Biontech e ka marrë së fundmi nga koncerni zviceran Novartis.
Edhe sipërmarrje të tjera në Gjermani janë duke u përgatitur për detyrën logjistike herkuliane të shpërndarjes së vaksinës. Kështu për shembull Lufthansa Cargo – jo larg selisë së firmës Biontech në Mainz ka krijuar një Task Force, dhe është në kontakt të vazhdueshëm me partnerë të tjerë dhe koncerne farmaceutike. Për këtë vit Biontech dhe Pfizer thonë, se do të prodhojnë rreth 50 milionë doza vaksine, vitin e ardhshëm 1,3 miliardë doza. Një biznes me shumë përfitim, po të kujtosh, se çmimi për një vaksinë të dyfishtë me autoritetet amerikane është negociuar në 39 dollarë. Thomas Schiessle thekson se ai “nuk duhet të shumëzohet kaq thjesht me numrin e dozave të vaksinave”. Sepse nga fitimet e ardhshme duhen hequr ndoshta edhe fondet publike mbështetëse. Kështu Biontech në shtator u ndihmua nga qeveria gjermane me një program të posaçëm me 375 milionë dollarë për zhvillimin e vaksinës. Ekspertët presin, që lejet e posaçme të jepen edhe në SHBA më 10 dhjetor, kurse në Europë me gjasë më 29 dhjetor. Por ata rekomandojnë të kihet kujdes. Ajo që duhet vëzhguar ende janë pasojat e mundshme afatgjata të vaksinës. Po ashtu për shkak të kohës së shkurtër të zhvillimit të vaksinës, është ende e paqartë, se sa kohë zgjat mbrojtja nga vaksina dhe nëse mund të përdorët tek fëmijët dhe gratë shtatzëna apo nëse tregon efekt. (dw)