Falë investimeve në aparatura, pacientët që kryejnë hemodializë e marrin këtë shërbim jetik falas afër vendbanimit të tyre. Kyeministri Edi Rama ndau sot dëshmitë e disa prej pacientëve që marrin këtë shërbim, shumë ndryshe nga stërmundimi me orë e orë të tëra dhe kushtet që kishin më parë. “Mirëmëngjes dhe me rrëfimet e pacientëve që kryejnë dializën e garantuar falas afër vendbanimit, krejt ndryshe nga stërmundimi me orë e orë të tëra dhe kushtet që kishin më parë për këtë shërbim jetik, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.
Ndërkohë sipas mjekes së kësaj qendre, “aktualisht në qendër e marrin shërbimin rreth 115 pacientë në muaj”. “Kemi punuar gjatë gjithë kohës pa ndërprerje dhe kemi kaluar personel dhe aparatura në spitalin Infektiv që edhe pacientët e tjerë të marrin shërbimin e duhur të hemodializës atje”, tha ajo. “Shumë shërbim i mirë, dializa falas shumë e mirë”, tha një pacient. Një tjetër u shpreh se “disa herë i ka shpëtuar jetën dhe shërbimi është i shkëlqyeshëm”. “Jemi shumë mirë. Infermieret i kemi shumë të mira, janë shumë punëtore. Nuk i thërret dy herë, një herë i thua janë flutura. Jo për t’i bërë qejfin se ne jemi këtu luftojmë me jetën”, u shpreh një tjetër paciente. “Personeli është më i gatshmi ma do mendja nga çdo pavion tjetër që shërben”, tha një tjetër pacient.
“Falë tyre jemi gjallë, puna e tyre na mban në jetë”, u shpreh një tjetër. “Jemi shumë të kënaqur me këtë shërbim, me infermieret tona, më çdo lloj pune që bëhet këtu. Është një organizim i përkryer”, tha një paciente.