Nga Pierre Haski/

Më 8 dhjetor britanikja Margaret Kenan, ishte personi i parë që mori një vaksinë anti-Covid në një vend perëndimor. Kina dhe Rusia po vaksinojnë prej javësh qytetarët e tyre, madje edhe para se të përfundojnë testet klinike. Ajo që është sot në rrezik është para së gjithash e natyrës shëndetësore, dhe pandemia dhe pasojat e saj të rënda justifikojnë një përshpejtim të procedurave. Por kjo është për të gjithë edhe një çështje me natyrë politike. I kritikuar ashpër për menaxhimin e tij jo të besueshëm të pandemisë, kryeministri Boris Xhonson mund të mburret tashmë se Mbretëria e Bashkuar po e vaksinon e para popullatën e saj, madje edhe përpara Shteteve të Bashkuara, vendi amë i laboratorit të kompanisë Pfizer, që e furnizoi me vaksinat, krahas gjermanes Biontech.

Sigurisht, Uashingtoni nuk e ka pritur mirë këtë zhvillim. Ndërkohë, Londra është marrë edhe me ndryshimin e fakteve në terren, duke argumentuar se vetëm falë Brexit po mundet të vaksinojë banorët para pjesës tjetër të kontinentit, kur në fakt Mbretëria e Bashkuar vazhdon që të ndjekë rregullat e Bashkimit Evropian. Qeveria britanike përdori një klauzolë urgjence, ndërsa 27 vendet që mbeten në BE preferuan të ndiqnin procedurën klasike dhe më të gjatë për të qetësuar skeptikët ndaj vaksinave. Të gjitha qeveritë, siç e konfirmon edhe rasti i Francës, po përqendrohen shumë mbi fushatën e vaksinimit, dhe do të paguanin shtrenjtë çdo lloj gabimi logjistik, apo një  refuzim të vazhdueshëm të vaksinës nga popullata për shkak të mungesës së besimit.

Por tek ajo që mund ta quajmë nacionalizmi i vaksinave, ka edhe një kontekst planetar. Siç e kanë treguar kinezët dhe amerikanët, pandemia nuk i ndaloi betejat dhe rivalitetet ideologjike midis fuqive të mëdha. As vaksina, çelësi për të dalë nga kriza shëndetësore aktuale, nuk i shpëton këtij mekanizmi. Kina, pasi rishkroi historinë e pandemisë, për t’i bërë njerëzit të harrojnë gënjeshtrat e saj fillestare, dhe për të promovuar një epikë triumfale në lavdinë e udhëheqësit të saj suprem Xi Jinping, po zbaton një diplomaci vaksinash shumë aktive.

Në fakt, Pekini po ua ofron vaksinat e tij vendeve që janë pjesë e Rrugëve të reja të Mëndafshit, të cilat natyrisht që do t’i jenë mirënjohëse aleatit të tyre kinez. Moska po bën të njëjtën gjë, duke premtuar shpërndarjen e vaksinës së saj Sputnik V në rreth 40 vende.

Nga ana e saj Evropa, i ka qëndruar besnike vlerave të saj, duke favorizuar krijimin e nismës COVAX në pranverë,bashkë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, për të lejuar të gjithë, dhe jo vetëm vendet e pasura, që të kenë qasje tek vaksina anti-Covid. Kinezët morën pjesë me shumë ndrojtje në këtë nismë, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Donald Trump mbetën plotësisht jashtë saj. Presidenti në largim i SHBA-së ka ecur përpara në rrugën e tij të unilateralizmit.

Më 8 dhjetor, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv, që urdhëron që amerikanët të vaksinohen para pjesës tjetër të botës. Problemi është se sipas The New York Times, muajin e shkuar Trump e humbi shansin për të porositur 100 milion doza të vaksinës së Pfizer.

Është e trishtueshme të shohësh gjithë këto konflikte mbi një çështje, që mund të kishte bashkuar planetin, për të luftuar një fatkeqësi që nuk njeh kufij. Është një mundësi e humbur që do të lërë pas gjurmë të thella, kur të vijë koha e bërjes së një bilanci. / Internazionale – Bota.al