Sot është Dita Botërore kundër HIV-AIDS dhe Shqipëria shënon 1387 raste të raportuara me infeksionin HIV.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se Shqipëria vijon të ketë prevalencë të ulët, falë përpjekjeve të pareshtura për të mbajtur nën kontroll infeksionin HIV.

“Edhe në këtë vit të vështirë, kemi garantuar terapinë e plotë të mjekimit për çdo të prekur me HIV-AIDS, nën kujdesin shembullor të ekipeve tona mjekësore, që nuk e kanë ndalur trajtimin për asnjë moment, pavarësisht situatës së pazakontë të epidemisë”, tha ajo

Ministrja, po ashtu theksoi vendosmërinë për të garantuar shërbimin shëndetësor për këdo që ka nevojë, megjithë situatën e vështirë të epidemisë që po përballon sistemi ynë shëndetësor. Në Shqipëri raportohen 1387 raste me infeksionin HIV, ndërkohë që gjatë vitit 2020 deri në këtë periudhë janë raportuar 81 raste. 667 të prekur po trajtohen me terapinë me antiretrovirale falas, kurse 65 pacientë kanë filluar terapinë me ARV këtë vit.