Komiteti i Ekspertëve vendosi të vijojë me masat e deritanishme për parandalimin e pandemisë, edhe pse kishte qarkulluar lajmi për një ashpërsim të tyre, duke parë edhe rritjen e rasteve. Por Albana Fico, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, e mendon ndryshe. “Nuk e di nga mund të vinin pritshmëritë për t’ u mbyllur ne fundjavë, sepse dy javët e fundit kanë një stabilitet në ulje të rasteve pozitive, edhe si pasojë e masave të ndërmarra. Asgjë nuk është e gdhendur në gurë, dhe kjo vlen për të gjithë botën. Po të ketë përshpejtim, do vendosim në bazë të argumenteve”. Mos të harrojmë se masat kanë një karakteristikë, duhen 4 deri në 6 javë vrojtim për të vendosur ndryshime të masave”, deklaron ajo A2.

Shifrat e personave në terapi intensive është rritur në nivele shqetësuese, edhe relativisht me vendet e tjera, por Fico mendon se “rastet e javëve të fundit janë dëshmi të situatave pararendëse. Kemi ne gjynahet tona? Jemi brenda kuadrit të projektuar në shumë vende të botës, por krahasimet nuk janë të udhës. Nëse nga një anë autoritetet shëndetësore do të bëjnë punën e tyre, duke filluar nga spitalet dhe epidemiologet, dhe nga ana tjetër qytetarët, do të jenë bashkëpunues, i kemi shanset shumë të mira”, , duke cilësuar disa situata grumbullimesh të filmuara në ditët e mëparshme si të papranueshme. Hapja e COVID 4 vjen si rrjedhojë e situatës, por ky është lajm qetësues apo shqetësues për opinionin publik? “Këto nuk janë hapje ad hoc. Realiteti është që hapja e COVID 3 dhe 4 janë pasojë e strategjisë, spitalet nuk behën brenda natës. Është lajm i mirë sepse do të thotë që nuk jemi kapur të papërgatitur, por nga ana tjetër hapja e tij do të thotë që duhet t’i vëmë gishtin mendjes, që kjo emergjencë nuk ka mbaruar”, pohon Fico.

Një nga shqetësimet vjen edhe nga perceptimi i përhapur për mungesë stafi mjekësor. Fico sqaron se “ka dy kategori ekipesh, ato të super specializuar që ushtrojnë në spitalet COVID, si dhe një grup të madh të mjekeve që janë mjek specialistë, që gjithsesi mund të alokohen shumë mirë. Nuk janë vetëm pjesë e një thirrje për të zgjidhur problemin, por edhe zgjedhje e brendshme e vetë mjekeve”. Temë sensitive është edhe ajo e vaksinave, shpresa reale kundër virusit. Kur duhet ta presim vaksinën? “Jemi pjesë e COVAX Facility, që bashkon shumë shtete që kanë parapaguar. Vetë konsorciumi ka firmosur tre kontrata me Astra Zeneca, Sanofi Glaxo dhe Novavax. Vaksinat ndryshojnë nga njëra tjetra edhe për shkak të platformës me të cilën që janë planifikuar. Por nuk ka vaksina që do të shkojnë vetëm në Itali, në Shtetet e Bashkuara ose vetëm në Shqipëri”, thotë kreu i ISHP-së, duke shtuar se “po të ketë mangësi ose vonesë vaksine me instrumentin e COVAX, ne kemi marrëveshje me të paktën dy vende si Italia dhe Republika Ceke, që do të na furnizojnë nga sasitë tyre”.

Fico është e bindur për cilësinë e vaksinave që do të vijnë në Shqipëri, dhe menaxhimin e tyre. “Shqipëria ka një program vaksinash të jashtëzakonshëm, e them me krenari, për cilësinë e vaksinave që sjell, zinxhirin e ftohtë dhe grupin e vaksinatorëve. Ne mund të kishim më shumë vaksina, por asnjëherë nuk ka pasur asnjë marrëveshje që është bere vetëm për kostot e ulëta”, thotë ajo.