Studentët e Rrethit Shkencor të Qendrës së Studimeve të Evropës Lindore në Universitetin e Varshavës, të sensibilizuar nga doktori i shkencave në këtë Qendër, Rigels Halili, mblodhën në muajt dhjetor 2019-janar 2020 një shumë të hollash për dy familje në nevojë në Durrës dhe Shkozet.
Të penguar disa herë nga pandemia për të ardhur vetë në Durrës, studentët polakë autorizuan shkrimtarin Arian Leka dhe përkthyesin Astrit Beqiraj të dorëzojnë në emër të tyre të hollat e grumbulluara.
Gazetarja durrsake Vali Qyrfyçi, që ndihmoi e palodhur në përzgjedhjen e dy familjeve, u shpreh në statusin e vet në facebook që bamirësia nuk flet, por lë gjurmë.
“Një falënderim zemre për një grup studentësh polakë që mblodhën kursimet e tyre dhe ndihmuan familje të dëmtuara nga tërmeti dhe jeta në Durrës. Zgjodhën familje me nëna kryefamiljare, duke u përcjellë mbi të gjitha besim dhe kurajë që nuk janë vetëm në kohë të vështira. Morën nga to, edhe pse në distancë, bekime pafund. Vështirësitë munden nga dashuria, solidariteti që nuk njeh kufij dhe kombësi”.