Nga Carlo Bollino/

Sido që ta interpretoni, ajo që po ndodh prej disa ditësh është revolta e adoleshentëve. Nga 120 personat e arrestuar dje nga policia, 56 ishin të mitur, disa madje edhe nën moshën 14 vjeç. Policia i identifikoi dhe më pas i la të lirë pikërisht për shkak të moshës së tyre, madje duke ditur që sot ata do të gjenden përsëri në shesh, me gurë dhe fytyra të fshehura nga kapucet e maskat. Por a është i besueshëm spontaniteti i kësaj revolte? A vendosën me të vërtetë këta fëmijë të periferive të kalonin papritmas nga Tik Tok-u në vandalizëm urban nga dëshpërimi apo shqetësimi politik? Apo dikush i shtyu ata ta bënin këtë? A mund ta imagjinoni një 14-vjeçar i cili pasi mori vesh dorëheqjen e Sandër Lleshajt vendosi që ai nuk është i mjaftueshëm dhe gjithashtu kërkon dorëheqjen e Ardi Veliut? Pothuajse të gjithë ata adoleshentë nuk dinë as emrat e ministrave në detyrë, nuk i dallojnë funksionet e qeverisë dhe pothuajse me siguri nuk kanë lexuar kurrë një gazetë apo një portal informacioni në jetën e tyre. Ata dinë gjithçka për Instagramin apo Tik-Toku, por asgjë për politikën. Dhe kështu, nga buron gjithë kjo gjullurdi sociale e orientuar kaq mirë politikisht?

Analistët e PD-së, të gjithë që papritmas janë bërë sociologë, nuk kanë dyshime. Adoleshentët në revoltë janë fëmijë të zemërimit të shkaktuar nga korrupsioni qeveritar, varfëria, arroganca, padrejtësia. Por nëse do të ishte e vërtetë, përse ky zemërim shpërthen vetëm midis moshave 14 dhe 15 vjeç dhe jo mes studentëve të universitetit për shembull? Dhe ku janë prindërit e tyre? Vëllezërit e tyre më të mëdhenj? Xhaxhallarët e tyre? Pse nëse kanë të njëjtin zemërim i lënë ata vetëm në shesh për të shkatërruar vitrinat e dyqaneve, semaforët dhe institucionet në vend që të qëndrojnë pranë tyre, qoftë edhe vetëm për t’i edukuar ata të protestojnë me qytetari?

Por nëse të pranishmit në këtë revoltë janë të dyshimtë pikërisht për shkak të moshës së tyre të re, e cila zakonisht përkon (kudo, jo vetëm në Shqipëri) edhe me kulmin e indiferencës, dyshimi më i madh lind nga të munguarit. Pse PD dhe LSI nuk marrin pjesë në protestë? Ku janë demonstruesit që ish-pushtetarët shpesh paralamerojne si një armë gati për të pushtuar sheshet? Pse nuk shihen më përreth? Pse nuk shihni një flamur të vetëm të partisë te tyre në protesta? Pse populli që Ilir Meta tha se përfaqësonte kur erdhi puna për të mbrojtur privilegjet e tij, pikerisht tani që ka nje kauzë të fortë qëndron në shtëpi?

Këtu, pra e pranishmja dhe mungesa, shfaqen si dy anët e së njëjtës medalje që zbulojnë misterin. Adoleshentët dalin si mjeti me të cilin opozita nga anonimiteti përpiqet të ndezë qytetet, ndërsa në të njëjtën kohë shmang çdo përgjegjësi politike përballë akteve të vandalizmit. Ambasadorët perëndimorë bëjnë thirrje për qetësi, por PD dhe LSI janë të lirë t’i injorojnë këtë herë, duke thënë se “nuk janë ata që protestojnë”. Pasi organizuan protesta të dhunshme për dy vjet duke u përpjekur të paraqisnin militantët e tyre si “popull” por pa bindur askënd, tani ata kanë gjetur këta adoleshentë, si një pjesë të”popullit” pa uniformë partie. Nje strategji e re lufta e shpikur cuderisht pas një sondazhi serioz dhe te besueshëm tregon se si PD dhe LSI, madje edhe të bashkuara, rrezikojnë të humbin zgjedhjet e ardhshme.

Mendjet djallëzore të Berishës, Bashës dhe familjes Meta (shtypur nga perspektiva e një humbjeje tjetër elektorale) besojnë edhe një herë se ata mund ta përmbysin pushtetin me dhunë, kësaj here duke deleguar rolin e “ushtarëve” në një ushtri adoleshente. Por loja tani është zbuluar dhe ashtu si ajo që ndodhi me djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve më 30 qershor, edhe kjo lëvizje do të kthehet në një tjetër bumerang. Dhe do të godasë edhe këtë herë mungesën e vizionit të politikanëve dhe mungesën e logjikës së analistëve të tyre. (Shqiptarja.com)