Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Shijakut Elton Arbana kanë vizituar dy familje, të cilave iu është ndërtuar shtëpia e re, pas prishjeve të banesave të tyre nga tërmeti. Ahmetaj në fjalën e tij tha se qeveria ka bërë gjithçka që banorët e prekur nga tërmeti të kenë shtëpi të re, duke shtuar se premtimi është mbajtur.

“E di që nuk e keni besuar se shteti do ua ndërtojë shtëpinë. Mirëpo, ne kemi përballuar edhe pandeminë, edhe tërmetin. Ta gëzoni shtëpinë dhe të jeni mirë. Gëzuar festat.”, tha Ahmetaj në njërën nga shtëpitë e rindërtuara, që vizitoi.

Lajmin për rindërtimin e dy shtëpive për Krishtlindje në Maminas e shpërndau në “Facebook” edhe kryeministri Edi Rama. Postimi i kryeministrit Edi Rama: Maminas, Shijak – Dy gëzime në një ditë për familjen e Tahir Barretit dhe Gjovalin Markut në Maminas, që ditën e Krishtlindjeve do ta festojnë në shtëpitë e tyre të reja, më të mëdha, më të forta e më të bukura se ato që humbën. Shumë familje të tjera do të gëzohen brenda 31 Dhjetorit në shtëpitë e reja.

? Në të gjithë bashkinë Shijak do të ndërtohen 567 banesa individuale ndërsa këtë javë miratuam edhe vendimin për 85 familje, që do të trajtohen me pagesë në dorë për rindërtimin e shtëpive të tyre, të cilat për arsye objektive nuk mund të rindërtohen aty ku u shembën.