Dy gëzime në një ditë për familjen e Tahir Barretit dhe Gjovalin Markut në Maminas, Shijak, që ditën e Krishtlindjeve do ta festojnë në shtëpitë e tyre të reja, më të mëdha, më të forta e më të bukura se ato që humbën. Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Shijak Elton Arbana, sot në ditën e Krishtlindjes i ka dorëzuan çelësat e shtëpive të reja, familjes Barreti dhe Marku në Maminas, duke shtuar kështu dyfish gëzimin e këtyre familjeve në këtë ditë feste. Ministri Ahmetaj u shpreh se, shumë familje të tjera do të gëzohen brenda 31 dhjetorit në shtëpitë e reja.
Ndërsa kryetar i bashkisë Shijak, Arbana e informoi ministrin se në njësinë administrative Maminas po ndërtohen 150 banesa individuale dhe në të gjithë bashkinë Shijak do të ndërtohen 567 banesa individuale.
Ahmetaj gjatë bashkëbisedimit me familjarët që hynë në shtëpitë e reja, përgëzoi kryetarin Arbana për punën e bërë dhe u shpreh se qeveria ia doli të mbajë fjalën për të ndërtuar falas shtëpitë e reja individuale për të gjithë ato familje shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i nëntorit të vitit të shkuar.
“Këtë javë miratuam edhe vendimin për 85 familje të tjera në bashkinë Shijak, që do të trajtohen me pagesë në dorë për rindërtimin e shtëpive të tyre, të cilat për arsye objektive nuk mund të rindërtohen aty ku u shembën”- tha Ahmetaj.