Eksportet shqiptare drejt Gjermanisë shënuan një rritje prej 14.6% gjatë këtij njëmbëdhjetëmujori të udhëhequra nga grupi i tekstileve dhe këpucëve. Periudha e pandemisë duket të ketë shërbyer për të forcuar marrëdhëniet tregtare me Gjermaninë.
Sipas statistikave zyrtare të Institutit të Statistikave, në periudhën janar-nëntor të vitit 2020 eksportet shqiptare drejt Gjermanisë arritën në 15.1 miliardë lekë nga 13.1 miliardë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2019, me një rritje prej 2 miliardë lekësh. Referuar të dhënave mbi tregtinë e jashtme, në rritjen e eksporteve, kontribuesit më të mëdhenj ishin grupi “tekstile dhe këpucë” me rreth 8.1 miliardë lekë, pasuar nga grupi “makineri pajisje dhe pjesë këmbimi” me gati 1.8 miliardë lekë.
Edhe eksportet e mineraleve dhelëndëve djegëse shënuan një rritje prej prej 510 milionë lekësh duke arritur në 1.3 miliardë lekë nga 800 milionë lekë që ishin në të jëjtën periudhë të një viti më parë. Krahas eksporteve rritje por të moderuar shënuan edhe importet krahasuar me vitin e shkuar. Sipas të dhënave, nga Gjermania gjatë 11-mujorit të vitit u importuan mallra me vlerë 41.8 miliardë lekë.