Në 22 tetor Elia Zaharia dhe Princ Leka u bekuan me një vajzë, të cilën e pagëzuan me emrin e stërgjyshes, Geraldinë. Lajmi i lindjes së saj mori edhe vëmendjen e mediave të huaja, që shkruajtën për ardhjen në jetë të vogëlushes. Ndër to ishte edhe media e njohur britanike “Daily Mail” që i kushtoi një artikull ardhjes në jetë të Geraldinës.

Ndërkohë ditën e sotme ata kanë postuar fotot e para të kartolinës së tyre familjare dhe në këtë mënyrë kanë prezantuar vogëlushen me gjithë botën. Ata kanë pozuar me një pemë Krishtlindjesh të zbukuruar në sfond, ndërkohë që gjithë vëmendjen e ka marrë portreti i ëmbël i të voglës, Geraldine.

Me këto foto Elia dhe Princ Leka kanë uruar gjithë shqiptarët për festat e fundvitit. “Të dashur miq e dashamirës, Familja jonë ju uron nga zemra Gëzuar Krishtlindjen! Qofshi kurdoherë të bekuar! Me shumë emocion këtë vit, kjo festë e ngrohtë na gjen të plotësuar me ëngjëllin tonë të vogël! Ky vit na solli dhuratën më të bukur në jetë. Urojmë që secili prej jush, paçkah këtyre kohërave kaq sfiduese, të realizojë ëndrrat dhe të gjejë lumturi e harmoni! Nga zemra, Ne të tre…”, ka shkruar Elia përkrah fotove.

Kujtojmë se Elia, 37 vjeçe, e Princi, 38 vjeç, u martuan në vitin 2016 në një ceremoni martesore që bëri shumë bujë, pasi mblodhi në Tiranë familjet e famshme mbretërore nga e gjithë bota. Ata kanë shumë vite në krahët e njëri-tjetrit, teksa në 2010 u fejuan në qytetin e dashurisë, Paris.