Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla përshëndeti sot thirrjen e eurodeputetëve nga grupet kryesore politike, anëtarë të Komitetit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian, duke i kërkuar Këshillit miratimin e kuadrit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në takimin e sotëm të Ministrave të Çështjeve Europiane. Balla tha se eurodeputetët vlerësojnë se “Shqipëria e meriton të ecë përpara në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”. Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të PE-së, 24 eurodeputetët nënvizojnë përpjekjet e gjithëanëshme në reforma, në mënyrë të veçantë në fushën e drejtësisë, gjatë viteve të fundit, sikurse vlerësohet edhe në vlerësimin e Komisionit Europian.
Ambasadori i Bashkimit Eiropian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka reaguar pas publikimit të letrës së 24 eurodeputetëve.
“Deklaratë e rëndësishme e përbashkët nga përfaqësuesit e grupeve politike në Parlamentin Europian mbi negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shprehet Soreca. Eurodeputetët i kërkojnë Këshillit të shmangin shtyrjen e bisedimeve të pranimit në BE
Ne, përfaqësues të grupeve politike në Parlamentin Europian, qëndrojmë pas premtimeve të bëra në Samitin e Selanikut BE-Ballkani Perëndimor në 2003 dhe vazhdojmë të mbështesim të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor, e shprehur gjithashtu në rezolutën e Parlamentit Europian të Tetorit 2019 mbi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Në prag të takimit të ardhshëm të Ministrave të Çështjeve Europiane të BE-se, ne nxisim Këshillin të miratojë kornizat negociuese për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe të ndalojë shtyrjen e metejshme te bisedimeve të pranimit në BE. Ngecja aktuale po rrezikon besueshmërinë e Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor dhe zvogëlon fuqinë transformuese dhe ndikimin e BE-se në rajon. Një BE gjeopolitike që dëshiron të ketë një ndikim pozitiv dhe të drejtpërdrejtë në fqinjët e saj duhet të mbajë premtimet e saj. Të dy vendet kanë bërë progres të rëndësishëm në reformat themelore. Të gjitha shtetet anëtare duhet të tregojnë vullnet të qartë politik dhe angazhim për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor. Një e ardhme e përbashkët është në të gjithë interesin tonë.
Në veçanti, ne i bëjmë thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të gjejnë një kompromis mbi çështjet dypalëshe të pazgjidhura për të mos vonuar më tej procesin e pranimit. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të marrin çdo ndihmë në dispozicion – përfshirë ndërmjetësimin dhe ekspertizën e jashtme nëse dëshirojnë – për të zgjidhur çështjen. Në mënyrë që të pranojë përpjekjet e vendit në procesin e pranimit në BE, Bullgaria duhet të miratojë hapjen e konferencës ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur, deri në dhjetor.
Maqedonia e Veriut, në rolin e saj si një vend i ardhshëm drejt pranimit ne BE, duhet gjithashtu të bëjë çdo përpjekje të mundshme nga ana e saj për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura. Ne e mirëpresim orientimin pro-BE të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, durimi dhe besimi i të cilëve në të ardhmen europiane të vendit të tyre, të shprehur në referendumin e vitit 2018 për Marrëveshjen e Prespës, duhet të shpërblehet me angazhime të vazhdueshme nga pala e BE-së. Sidoqoftë, ne jemi të shqetësuar nga përdorimi në rritje i retorikës nacionaliste nga disa aktorë politikë në të dy vendet. Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe Traktati për Miqësinë, Fqinjësinë e Mirë dhe Bashkëpunimin me Bullgarinë ishin historike dhe zbatimi i tyre mbetet vendimtar. Prandaj, të gjitha palët duhet të vazhdojnë një dialog konstruktiv të bazuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, përfshirë, duke marrë parasysh hapat e mëtejshëm në formën e udhërrëfyesve.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria gjithashtu meriton të avancoje në rrugën e saj drejt pranimit në BE, duke pasur parasysh përpjekjet gjithëpërfshirëse për reformat, në veçanti në sektorin e drejtësisë, gjatë viteve të fundit si dhe vlerësimin pozitiv të Komisionit. Shqipëria duhet te rrise përpjekjet edhe në disa fusha, në rrugën e saj për të përmbushur të gjitha kushtet e paraqitura në Konkluzionet e Këshillit. Përpjekjet gjithashtu duhet të bëhen nga disa shtete anëtare, te cilat aktualisht kane patur dyshime për t’i dhënë Shqipërisë dritën jeshile për të hapur konferencën ndërqeveritare, duke punuar me Shqipërinë per te adresuar shqetësimet e tyre. Përpjekjet kryesore transformuese dhe reformuese duhet të ndodhin gjatë negociatave aktuale të zgjerimit. Ne nxisim të gjitha palët e përfshira për të gjetur një zgjidhje në takimin e ardhshëm të Këshillit për të siguruar që negociatat e pranimit do të fillojnë para fundit të vitit.