Rindërtimi i shtëpive individuale në Tiranë po ecën me ritme të shpejta dhe në shumë prej tyre banorët kanë nisur të futen në banesat e reja, të ndërtuara me kushte shumë herë më të mira se më parë. Kryeministri Edi Rama solli mëngjesin e sotëm shembullin e familjes Lana, nga Lanabregasi, në Tiranë, e cila tashmë ka hyrë në banesën e re.
“Mirëmëngjes me shtëpinë e re të familjes Lana, rindërtuar pas tërmetit të 26 nëntorit dhe duke ju siguruar se askush nuk do mbetet vetëm përballë çdo pabesie, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama. Në bashkinë e Tiranës janë 850 shtëpi individuale që po ndërtohen nga e para me kushte optimale. Ndërkohë rindërtimi i banesave kolektive në Tiranë është i përqendruar në dy lagje të reja moderne, në zonën e Kombinatit si dhe në lagjen “5 Maji”. Programi i rindërtimit po vijon po ashtu edhe me rindërtimin e shkollave me kushte e standarde sipas Bashkimit Europian.