Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj si dhe Drejtori i Zyrës së KfW-së në Tiranë, Björn Thies nënshkruan marrëveshjen e grantit në shumën e 11 milionë eurove. I pranishëm në takimin virtual ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf. Kjo marrëveshje do të mundësojë zbatimin e fondeve të dhëna nga Qeveria Gjermane pas tërmetit që god iti Shqipërinë më 26 Nëntor 2019. Granti do të përdoret për rindërtimin e plotë të 3 shkollave në qarqet e Tiranës dhe Durrësit në disa nga zonat që u goditën më rëndë nga tërmeti. Shkollat, të cilat gjenden në Bashkitë e Ishmit dhe Kamzës do të rindërtohen mbi bazën e nevojave që banorët mund të kenë në të ardhmen.
Punimet paraprake në vendndodhjet e projekteve kanë filluar tashmë, gjë që lejon fillimin e menjëhershëm të rindërtimit. Ambasadori gjerman, Peter Zingraf nënvizoi se me mbështetjen tonë ne po dëshmojmë solidaritetin e fuqishëm ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë. “Këto tre shkolla, të cilat do të rindërtohen me standardet më të larta, do të jenë një investim për arsimimin dhe të ardhmen e rinisë shqiptare”, tha ai.
Mbështetja gjermane për rindërtimin do të zbatohet nga Banka Gjermane për Zhvillim
(KfW) në bashkëpunim me Fondin Shqiptar për Zhvillim (FSHZH) dhe në një bashkërendim të ngushtë me bashkitë dhe komunitetet e shkollave përkatëse. Mbështetja gjermane për rindërtimin është e koordinuar ngushtë me mbështetjen për rindërtim të ofruar nga partnerë të ndryshëm në vend, të kryesuar nga Bashkimi Europian (BE).
KfW-ja është një nga bankat për zhvillim lider në botë. Me eksperiencën e saj shumëvjeçare KfW-ja është e angazhuar që në emër të Republikës Federale Gjermane si edhe të Landeve Federale të përmirësojë kushtet ekonomike, sociale, ekologjike si edhe kushtet e jetesës në mbarë botën. Në Shqipëri, KfW-ja zbaton bashkëpunimin financiar dhe siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme. Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988. Që nga ai vit Qeveria Gjermane ka angazhuar një shumë totale prej mbi një miliardë eurosh për projekte zhvillimi në fushat e Infrastrukturës Bashkiake, Energjisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik.