Gjimnazi i rilindur “16 Shtatori” në Shijak, tanimë është gati për 350 nxënësit dhe mësuesit, që do të kenë një shkollë sipas standardeve më të mira europiane, më të bukur, më të madhe dhe më të fortë. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar edhe nga ministri i Shtetit për Rindërtimi, Arben Ahmetaj, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi dhe kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana ishte sot në Shijak ku vizitoi ambientet e reja në gjimnazin e rindërtuar “16 Shtatori”.

Kryebashkiaku Arbana u shpreh se, “ky gjimnaz do të presë 350 nxënës. Interesant është fakti se ky gjimnaz ka pasur 318 nxënës dhe është shtuar numri i nxënësve për shkak se kemi një shkollë më të re, më të bukur, më të mirë, më të fortë, antisizmike dhe më e madhe”. “Në ditët e para ishte një projekt me 9 klasa, por duke parë numrin në rritje të nxënësve, të cilët do të frekuentonin mësimin në gjimnazin “16 Shtatori” bashkë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Ministrinë e Rindërtimit, ne ndryshuam projektin dhe e bëmë 13 klasa”, tha Arbana.

“Kjo shkollë ka sot 13 klasa, 3 laboratorë, kimie, fizike, biologjie, një sallë multifunksionale, palestrën dhe çdo gjë që i duhet një shkolle sipas standardeve të Bashkimit Europian”, theksoi Arbana. Kryeministri Rama më tej vizitoi ambientet e brendshme të gjimnazit, ku ndodhej edhe biblioteka e gjimnazit. Kryebashkiaku Arbana theksoi se, “kemi krijuar një grup vullnetar në bashkinë e Shijakut, që i shërbejnë komunitetit për fatkeqësitë natyrore dhe problemet nga më të ndryshmet që kemi në bashkinë e Shijakut”.