Nga Irsa Ruçi
Grid (a) – shqipëruar domethenë rrjetë; dhe kjo fjalë në vetëdijen tonë komunikuese mbart disa kuptime: mund të transmetojë hapësirën që depërton dritën e kthehet në një imazh të ngrohtë për mendimin, por dhe lakun që mbërthen diçka, e lë zbrazësinë të flasë për të. Në rastin konkret për të cilin unë do shkruaj disa rreshta, simbolizon një grua që është aktive politikisht. Ndaj, dëshiroj të ndalem pak tek palaçollëku mediatik që ka prodhuar debat aktualisht, duke u treguar e ftohtë emocionalisht për të mos mbajtur anë, e pa i dalë zot kërkujt, sepse gjithkush flet vetë në emër të vetes, e po vetë duhet t’i mbajë përgjegjësitë për imazhin që prezanton. Së pari, dua ta nis me gjuhën e komunikimit të z. Çupi; që e ndjeva plotësisht jashtë standardeve etike, krej bosh në domethënie; aq sa nuk kuptoj, çfarë sheh media kaq mahnitëse në këto figura të shkuara vaktit; dhe për çfarë arsyeje refuzon t’i largojë nga ekrani, ndërkohë që populli i ka larguar edhe nga vëmendja, duke u dhuruar harresë. Një njeri që kalon tek fyerja, nënëkupton që është ezauruar nga thelbi i mendimeve, nuk përdor më forcën e mendjes e fillon flet pallavra. Kur dikush ka gjuhën e gjatë në vend të argumentit të mprehtë, jepi indiferencë; se ajo është përgjigjia e duhur për të.
Nuk mund të tolerojmë më, që në skenën publike të mbizotërojnë fyerjet, nga çdo krah qofshin. Parimi: hidh baltë e ngri pallat me intriga e ofendime; nuk meriton kohën e asnjë shqiptari. Dhe jo vetëm ndaj gruas, sepse edhe ky është diskriminim më vete, por ndaj askujt nuk mund të tolerohet më gjuha e rrugës dhe përdhuna e fjalës. Sepse jëmi shteruar e lodhur nga ashpërsia e diskursit publik të njerëzve që kanë pushtuar ekranet. Nuk do flas më shumë për z. Çupi, sepse jam e sigurt që ja shkroi vetë udhën të nesërmes së tij në sytë e publikut. Por, do ndalem tek znj. Duma, e cila këtë rast e shfrytëzoi për tu viktimizuar, me qëllim të fitojë pikë politikisht; e kjo nuk është hera e parë që ndodh në terrenin tonë të turbullt politikisht.
Znj. Grida nuk është ndjerë keq kur njerëzit në përditshmëri janë shprehur me fjalor seksist rreth bukurisë së saj, madje i ka shijuar me buzëqeshje dhe ka luajtur me këtë bukuri politikisht, duke e përdorur si asin nën mëngë. Nuk i ka ardhur keq dhe nuk ka pasur asnjë reagim apo indinjatë, kur Tirana dhe gjithë Shqipëria vlonte duke barazuar fuqinë e saj me fuqinë e dashnorit që e promovoi në politikë sipas gojëve të lihga (unë këtë shikoj si dhunë më të madhe, e një femër për këtë duhet të ndihet e fyer dhe e thyer. Nuk dua të merrem me vërtetësinë apo jo të thashëthemeve; të vërtetën e di zoti dhe i takon vetëm zonjës në fjalë, pasi është jeta personale dhe askush nuk ka të drejtën të ndërhyjë).
Por, mos reagimi i saj ndaj fjalëve që qarkullojnë si zukatje mizash e janë shumë seksiste, ka lënë vendin e “grixhizimit të gruas” në çdo sferë të jetës. Ndoshta ju nuk jeni përballur, por unë jam ndeshur me femra që të thonë me plot gojën “mos u merr me mua, se nuk ja ke idenë kë kam dashnor”. Unë do doja që znj. Duma për këtë të ofendohej e të reagonte në emër të çdo gruaje që ndershmërinë e ka virtyt, t’i hidhte poshtë me gjithë fuqinë e saj prej femre të tilla shpifje, e të ishte ballëlartë për forcën e saj femërore. Në këtë rast do luftoja me gjithë fuqinë e fjalës dhe qenies sime, bashkë me të.
Por jo, Grida fyhet nga dikush që nuk ka asnjë rol, qan poshtë e përpjetë për dhunimin e gruas e nuk e kupton çfarë shembulli ka dhënë tek femrat shqiptare, duke e banalizuar rolin e asaj gruaje, që sot ka dalë idhtare ta mbrojë. Mos kërko të mbrohesh si femër, kur nuk di të sillesh si femër! Sepse mbetesh gjysmë e vërteta që shitesh e blihesh lehtësisht në tregun e fjalëve. Gjithkush që sot i del në krah znj. Duma, me pretekstin e mbrojtjes së figurës së gruas është thjesht një patericë partiake, që gjen hapësirën të indinjohet sot, kur mund ta kishte bërë qëkurse znj. Grida hyri në ambientin politik me të tillë “njollë” seksiste mbi supe.
Dhe së dyti, për ata që me të drejtë e quajtën dhunë fjalën e z. Çupi. Sa herë që shkruaj diçka ku përmend z. Basha, inbox-i i kësaj faqeje mbushet frikshëm nga anonimë të tredhur partiakë, me organin gjenital mashkullor. Edhe kjo dhunë është të nderuar, e dhuna nuk dënohet vetëm kur shfaqet hapur në TV, por në çdo segment të jetës së përditshme; që synon të thyejë, fyejë apo kërcënojë një femër. Me qindra organe gjenitale që dërgohen nga skuthat dhe mijtë e bodrumeve të PD-së, sapo shkruaj diçka për z. Basha; aq sa unë kam refuzuar të kontrolloj personalisht postën time të inbox-it, sepse përmban komunikime njerëzish të sëmurë nga trutë dhe një ligësi që shfaqet e fshehur, e jo haptazi. Kjo është dhuna e vërtetë, ajo që nuk denoncohet dhe bëhet nga të ligj pa emër, por me një fytyrë e një identitet të zhytur në llum. Dhe unë, nuk dua të viktimizohem dhe kapërdij të keqen që i dhurojmë njëri – tjetrit, por i lë “nëmën” e gjysheve tona në këto raste: “O Lul, të mbiftë në ballë”.