Skualifikimet brenda Partisë Demokratike kanë sjellë një sërë pakënaqësish. Të shumë ishin emrat që kaluan në filtrat e Komisionit të Vlerësimit, të cilët hartuan një listë përfundimtare me emrat që do të kandidojnë për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Mjeku i njohur Halim Kosova ishte një nga emrat e skualifikuar nga Komisioni, i cili nuk ka nguruar që të sulmojë sekretarin e përgjithshëm Gazment Bardhin. Në media u tha fillimisht se ai vetë ishte tërhequr nga gara, por duket se situata nuk ka qenë kaq e thjeshtë sa kanë dashur që ta paraqesin nga selia blu. Halimi i mbetur jashtë listave, ka zbuluar mbrëmjen e djeshme prapaskenat që fshihen pas marrjes së këtij vendimi. Sipas Kosovës kjo nuk është në natyrën e tij, dhe gjatë gjithë kohës është përpjekur që të japë kontributin e tij në PD, edhe pse në disa raste e ka gjetur derën të mbyllur. Ai insinuon se dikush me një zë të përzier ”femre dhe mashkulli” e ka kërcënuar me përjashtimin nga gara, pikërisht përmes Komisionit të Përzgjedhjes së kandidatëve në PD.

“Njerëzit janë të zhgënjyer dhe ky nuk është vetëm faji i qeverisë por edhe i opozitës që nuk krijon besim. Kanë humbur besimin, kur marrin njerëzit çantat dhe ikin nuk është faji vetëm i qeverisë, duhet të jetë dhe një opozitë që të thojë se për 4 muaj unë do ta ndryshoj vendin, dhe unë do të luftoj për ta thënë këtë.Nuk jam për ta shkallmuar PD-në, por me mënyrën time do të jem faktor vendimtar që të krijoj besimin e njerëzve te PD.

Ju më bëtë një pyetje qëparë, në fakt unë po e modifikoj pak. Shkova dhe trokita tek dera e PD, thashë që unë kam mundësinë që t’ju ndihmoj në sektorin e shëndetësisë, në pastërtinë e figurës, kam mundësinë që të bëj vizita falas, ta shoh sektorin cep më cep edhe pse kam kontakte të përditshme me qytetarët.Mirëpo dera ishte e mbyllur, i rashë disa herë dhe nuk mu përgjigj njeri. Sa duke ikur dëgjoj zëra dhe i bie më fortë, kur nga mbrapa, dëgjoj një zë që nuk ishte as burrë as gru, i cili më thotë “Ik se do të lëshojmë Rulin dhe Nishanin”.Dhe faktikisht ky komision mua më ka seleksionuar.

Ky komision thotë që kam dy karakteristika të këqija, e para, nuk shaj PS-në (turp i madh, sikur kam shkuar të shaj njeri unë atje). Dhe sipas Nishanit, më falni… të kesh dy palë benevrekë, dy palë pampers, të thuash ”ky është i lodhur” po unë do shkoj të jap kontribut në PD se jam gjak i ri, kjo nuk e di si mund të ndodhë. Unë jam tip luftarak, se jetën nuk e kam pasur lisho, çdo gjë në jetë e kam bërë me luftë. Unë po e ndava mendjen nuk ka njeri që më ndalon, nuk ka njeri që më ndalon për të mirën e PD-së dhe për të mirën e vendit”, u shpreh Kosova.