Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se qeveria shqiptare ka siguruar një mbështetje buxhetore prej 3.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për përballimin e situatës së emergjencës prej pandemisë së COVID-19 gjatë vitit që vjen.

“Për vitin 2021 kostoja totale e prioriteteve për përballimin e pandemisë përfshin rritjen e pagave të mjekëve, infermierëve dhe laborantëve me 40%, sikurse edhe 7 miliardë lekë shtesë përfshirë edhe koston e parashikuar për vaksinën kundër COVID-19”, tha ministrja. Prej vitit 2013, tha Denaj, buxheti për infrastrukturën në shëndetësi është rritur me 20.6 miliardë lekë, duke përfshirë edhe 300 qendra shëndetësore. Ajo siguroi se Qeveria do të vërë në përdorim çdo mënyrë financimi për të patur në vazhdimësi një përgjigje të shpejtë dhe gjithmonë e më të plotë ndaj pandemisë. Deklarata e ministres Denaj u bë gjatë prezantimit në Kuvend të marrëveshjes prej 15 milionë eurosh me Bankën Botërore për fuqizimin e shërbimit shëndetësor.

“Së bashku me Bankën Botërore, do të vijojmë financimin për shëndetësinë duke siguruar mbrojtjen e shëndetit publik, parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj rrezikut që paraqet COVID-19, si dhe fuqizimin e sistemit kombëtare të gatishmërisë së shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë”. Marrëveshja me BB-në, tha Denaj, siguron mbështetjen e sektorit shëndetësor për të reaguar ndaj COVID-19 menjëherë dhe në një periudhë afatmesme përfshin fuqizmin e funksioneve kryesore të shëndetit publik për frenimin, parandalimin e përhapjes së COVID-19, fuqizimin e sistemit shëndetësor për rritjen e kapaciteteve për trajtimin e rasteve të COVID-19 dhe sëmundjeve, që lidhen me të si dhe mbështetje për masat e distancimit fizik dhe komunikimin në distancë. Shëndetësia në vitin 2021 do të përfitojë rreth 60.7 miliardë lekë ose 3.7% të PBB, duke përbërë buxhetin më të madh të 30 viteve të fundit për këtë sektor.