Kryeministri Edi Rama ndau sot rrëfimin e mësuesit nga Tirana Olsi Daizi, i cili falë shërbimit dhe përkushtimit të palodhur të mjekëve në Spitalin Infektiv, fitoi betejën me COVID-19. Mësuesi nga Tirana solli eksperiencën e tij të përballjes me COVID-19, ndërsa shprehu mirënjohje për mjekët që e shëruan.

“Sapo jam shëruar nga sëmundja e COVID-19, faza e parë dhe tani jam më mirë me shëndet por vijoj me regjim shtrati”- tha ai. Ai tregon se shenjat e para i filluan me luhatje të temperaturës dhe kollë. “Ndenja në shtëpi gati për një javë dhe mora në telefon 127 të cilët më rekomanduan shtrimin në spital. Aty pashë përkushtimin e mjekëve infermierëve dhe brenda tre ditëve që kam ndenjur aty, gjendja shëndetësore filloi të përmirësohej . Më pas kam kaluar tek Spitali Covid 4, që për mendimin tim është spitali më i mirë në Shqipëri për këtë sëmundje”- tha Daizi.

Ai falenderoi mjekun Tritan Kalo për përkushtimin e veçantë ndërsa tregoi se në spitalin Covid 4, bëri dhe një ekzaminim të plotë të shëndetit të tij për të gjithë treguesit. “Jam i befasuar nga shërbimi mjekësor, rregulli dhe gjithçka që u shërbehesh mua dhe pacientëve të tjerë” – theksoi ai.