Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Romeo Gurakuqi ka hedhur akuza ndaj komisionit të Vlerësimit të kandidatëve në PD, të cilët vendosen skualifikimin e tij. Gurakuqi tha se vendimi i marrë nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve në PD është “ha kmarrje zemërthyesish”, që ka si synim që “të vr asë opozitën”.
Në analizën e tij të titulluar ‘Opozita nën shqyrtimin e komisionerëve të pacertifikuar’, Gurakuqi ka hedhur akuza më të forta ndaj pjesëtareve të këtij Komisioni, pjesë e së cilës ishin, Genc Ruli, Bujar Nishani, Mark Marku, Besnik Mustafaj dhe Eriketa Papa.
Në shkrimin e tij, ish-deputeti e quan ish-ministrin e Jashtëm, Besnik Mustafaj si ‘shkresëmbajtësi dhe përkthyesi i Institutit të Nexhmije Hoxhës”. Shkrimi i plotë i ish-deputetit të PD-së Romeo Gurakuqi: Opozita nën shqyrtimin e komisionerëve të paçertifikuem. Në mbrëmjen e 22 tetorit 2020, pa prit dhe pa kujtu, nga media mësova se isha vendosun në një listë të zezë përjashtimore nga një komision, të cilin Kryesia e PDSH e kishte krijuar për sigurimin e asaj çfarë Ambasadorja e SHBA në Tiranë, zonja Yuri Kim, e konsideroi një përfaqësi të kandidatëve të pastër të demokratëve në Parlament, në përmbushje të rolit thelbësor të opozitës në demokracinë e brishtë shqiptare. Ekziston një Kod i Heshtjes dhe i Konfidencialitetit brenda PD, por një nga komisionerët kishte shpejtuar ta nxirrte në media “veprën” e tij. Prita me qetësi arsyetimin e vendimit personal të marrë nga komisionerët, por asgja e tillë nuk më është dhënë deri më sot, përveç disa deklarimeve të përgjithshme, prozhmuese, fyese dhe akuzuese, të lëshueme në mënyrë konfuze nga komisionerët e paçertifikuar dhe që në kodin tonë konsiderohen shpifje për të cilat autorët duhet të mbajnë përgjegjësi.
Pyetja që i bëj vetes që nga ai moment është se kush janë këto “dinjitarë”, që kanë të drejtë të japin verdikte përkufizuese dhe poshtëruese mbi anëtarët e opozitës? Në një sistem demokratik, vertetë ruhet e drejta e institucioneve për ndërtim akuze dhe dënime, por ekziston edhe e drejta e qytetarit, për mbrojtje ligjore pranë institucioneve përkatëse. Kjo e drejtë përforcohet, kur komisionerët marrin pamje sekretarësh organizash bazë, nuk reshtin së foluri dhe akuzuari, ndërsa ne detyrimisht duhet t’i përmbahemi një kodi heshtjeje, që tashmë është tejkaluar nga koha. Por heshtja ime u jep të drejtë atyre dhe kjo nuk mund të ndodhë. Pranë institucionit drejtues politik, me 30 tetor 2020 kam depozituar një akt-padi për Komisionin e Apelit. Mbasi Gjykata e Apelit ende nuk është mbledhur, unë po paraqes arsyetimin tim mbrojtës:
Askujt nuk i ka shkue ndër mend 30 vite ma parë, se do të vinte një ditë, që filtri i vlerësimeve të elitës politike të PDSh-së, si parti e Qendrës së Djathtë, e vendosur sot në vitin 2020 në rrugën e çmontimit të një regjimi kleptokratësh, do të kalonte përmes një komisioni, të përbërë nga anëtarë që janë formatuar në fillesë në kuzhinën e ish- Komitetit Qendror të PPSH, në Grupin e Oficerëve Enveristë Bustambajtës të Shkollës së Bashkuar, subjekte të proceduar në një kohë për tregtim pyjesh; ose ndër njerëz, që ende nuk janë drejtuar pranë institucioneve, që të vertetojnë pastërtinë e figurës, të tregojnë çfarë bënin ata qysh në bankat e shkollës së mesme dhe vijim ne vitet (70-80), ku diktatura po bëhej çdo ditë dhe më e ashpër me rininë shqiptare. Imagjinoj si do të kishte reagu sot, dëshmori i demokracisë, Arben Broci kur do të shihte shkresmbajtësin dhe përkthyesin e Institutit të shoqes Nexhmije, duke u matur për ta shënuar emrin e tij me stilografin e dhuruar në zyrat sovjetike, apo çfarë deklarate do të kishte dhanë Dom Simon Jubani, kur do të shihte, se vlerësimin e kandidatëve të djathtë e komandon njëriu i parë i zinxhirit të uljes së gradës së marrëdhënieve të Shqipërisë me Seline e Shenjtë dhe e ka lanë Shqipërinë tash 7 vjet pa ambasador në Vatikan. Përkufizimin final të kësaj gjendjeje paradoksale besoj ta bante i madhi Arshi Pipa: “paskeni ra sërish në duart e “Jeunes Turcs” të prodhuem nga regjimi i vjetër bijt e mi, sikurse ua paralajmërova”! Po, i paharrueshmi Ati ynë politik! Ata kanë ardhë për të vra Opozitën, atë të njimendtën; atë të njërëzve të vuajtur, liridashës të qytetit tand dhe të të gjithë Shqipnisë së andrave tuaja!
Ndodhi pra në vitin 2020, mbas një kohe të pazakontë dhe pa shembuj të ngjashëm opozicioni parlamentar dhe extra parlamentar, dhune policore në kushtet e çmontimit të institucioneve të mbrojtjes së qytetarit, sakrificash të panumërta të popullit jokomunist të Shqipërisë dhe PDSH, që projekti i ardhshëm i burimeve njerëzore të destinuara me përmbys regjimin e Rilindjes së Etërve, të skicohej 100% nga majtistë të ri-integruar brenda të Djathtës. Por nuk është realisht vetëm e majtë kjo sipërmarrje e pafamë. Brenda kësaj skeme ndërhyrëse ka një produkt të ardhun si rezultat i tre muajve thëna e thashash të brendshme komisionare, siç me thojnë dëshmitarët, të denja për t’u krahasuar me modelin e diskutimeve të byrosë se pleqve të rrjedhur të PPSH, që rroposnin njerëz, por që planifikonin kapje të nesërme porcionesh pushteti, shpërblenin me favore, miq kohësh pushteti, lokal dhe qendror, që i mbajtën gjallë, etj. Në fund, ka edhe një desk komisionerësh të padukshëm, që s’kanë lidhje me konservatorizimin politik, perëndimizimin e Shqipërisë dhe çlirimin nga banda e zgrapcave: ështe desku i oligarkëve që hakmerret për çdo përmendje, atje nga periferitë juglindore të Tiranës. Të gjitha në kurriz të efikasitetit, racionalitetit dhe shpejtësisë së veprimit opozitar, kur koha nuk pret, kur përkufizimet politike duheshin bërë prej kohësh dhe skuadrat e aksionit opozitar në terren duheshin vënë përballë paramilitarëve të PS, që tashmë kanë kapë pikat e dobëta të Shqipërisë së varfën dhe kanë xanë votuesit me “tul buke”.
Askush nuk shpjegon dot kujt i duhej që një grup njerëzish të papërputhshëm më funksionin e vlerësuesit, të cilët nuk kanë realizuar marrjen e vertetimit të pastërtisë së figurës nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentët e ish-Sigurimit të Shtetit (sikurse e parashikon neni 4 pika ç e Udhëzimit numër 60, datë 25.06.2020 i Kryesisë së PDSH për procesin e zgjedhjeve të brendshme), të vendoseshin në një funksion të tillë kaq me përgjegjësi! Askush nuk arrin të kuptojë pse një procedure e tillë e ndërlikuar dhe e pangjashme ishte e domosdoshme t’i ofrohej si shpëtim demokratik Opozitës, që don sot një motorr të fuqishëm në shpirtin e saj riformatues të shoqnisë, institucioneve dhe drejtësisë!
Pa asnjë respekt për detyrën e ngarkueme, pa pikën e seriozitetit dhe përulësisë ndaj shansit të dhanun për të lanë nji herë një emër të mirë ndershmërie e drejtësie, pa asnjë metodologji, Komiteti i Shpëtimit Publik-Mehmeti II, i gjendur pa prit dhe pa kujtue sërish në një vend nderi në Selinë mbi të cilën vodhën vrer për 3 vite me radhë, e përdoren shansin e dhanun jo për bashkim, por për “hakmarrje zemërthyerish” të modelit 2017: “dogjën” çdo raport koordinatorësh, nuk morën parasysh asnjë votim të anëtarësisë së PD, lanë mënjanë raportet periodike të Instituti i Studimeve Politike mbi efikasitetin e deputetëve në Parlament dhe në jeten publike, nuk shqyrtuan asnjë dosje rekordesh mbi mënyrën se si është vënë pasuria, nuk kërkuan asnjë rekord nga Autoriteti për Informim (nuk kishin se si derisa për vetë druheshin ta bënin) dhe një natë, papritmas, ilegalisht, në formë shantazhi, nxorën një listë me rreth 20 ish- deputetë të skualifikuar pa dhënë asnjë argumentim. Ishin ata e gjithë e keqja e PD, “të panevojshmit”, “jo qytetarët”, “njerëzit me hije” dhe brenda kësaj të keqeje isha edhe unë, “ai shkodrani që guxoi t’i kërkonte paraprakisht me shkrim “komisionarëve”, të merrnim ata të parët çertifikaten e pastërtisë”.
Pyetja që i bëj vetes është se kush janë këto “jakobinë kokëprerës”, që kanë të drejtë të japin verdikte përkufizuese dhe poshtëruese mbi figurën time? Në fakt, pyetjen komisionit ia kam bërë që herët, më, 24 shtator 2020, kur kam marrë prej tyre një shkresë të formuluar në kundërshtim me Udhëzimin nr. 60, datë 25.06.2020, neni 18, që përcakton si datë të fillimit të punës së Komisionit, në aspektin vlerësues të kandidatëve, 3 gushtin 2020 dhe datë përmbyllëse, datën, 10 tetor 2020, d.m.th. momentin kur listat e Komisionit të Vlerësimit dorëzohen për konsultim përfundimtar në anëtarësi: “Robespieristëve” që thithin dhëmbët pa të pa dot në sy, u shtrova pyetjen: Ju që kërkoni të më vlerësoni mua, a keni kryer detyrimet ligjore të deklarimit personal, mbasi për të çertifikuar të tjerët, duhet më së pari të kryenin çertifikimin, se nuk është firmosur në “Regjistrat e Djallit”, nuk keni qenë informatorë shokësh gjimnazi dhe universiteti, dëshmitarë në gjyqe politike kundër të akuzuarve “për veprimtari armiqësore”, ”agjitacion dhe propagandë”, para datës, 31 mars 1991”.
Me datë, 30 shtator 2020, në degën e PD Shkodër u zhvillua faza e tretë, ajo e konsultimit, e parashikuar nga Udhëzimi, në përfundim të së cilës, unë, kam rezultuar më i mbështeturi nga anëtarësia (më pak se 3% vota kundër), nga të gjithë kandidatët potencialë, që do të kalonin për shqyrtim në fazen e tretë (lexo nenin 18) në Kryesinë e PDSH. A e morën parasysh komisionerët votimin e anëtarësisë në bazë kur bënë seleksionimin e kandidatëve? Fakt është se komisionerët çertifikuan kandidatë, që nuk morën mbështetjen e anëtarësisë dhe skualifikuan kandidatë që anëtarësia i mbështeti fuqishëm. Pas kësaj çdo vendim i tyre bie, mbasi nuk është ligjor por i projektuar me arsye paragjykimore.
Në procedim të Udhëzimit nr. 60, në tagret mbetëse të Komisionit të Vlerësimit përfshihej zbatimi i detyruar i nenit 31, gjegjësisht, çertifikimi i listës finale të dalë nga konsultimi i anëtarësisë, d.m.th. rankimi mbi bazën e votës, dhënia e vlerësimit për kandidatët që kishin marr kontestime mbi 20% të votës së anëtarësisë. I gjithë ky procedim formal, do të duhej të realizohej mbi bazën e leximit të proces-verbaleve zgjedhore të dorëzuara Komisionit nga ana e drejtuesve të procesit zgjedhor në Shkodër, duke bashkëngjitur më pas vlerësimin e përgjithshëm të kandidatëve realizuar në fazën e dytë, që konsiderohej i protokolluar në Protokollin e organizatës.
Çuditërisht, në vend të çertifikimit të rezultateve dhe marrjes së vendimit skualifikues për kandidatët, që nuk ishin aprovuar nga anëtarësia në Shkodër dhe kudo, Komisioni ndërhyn në fazën e tretë, ndërkohë që tagret ndërhyrëse u kishin përfunduar në fazë të dytë. (Neni 25 i Udhëzimit e ka të përcaktuar qartë, se faza e vlerësimit të kandidatëve është faza e dytë dhe jo faza e tretë; “Komisioni i Vlerësimit bën vlerësimin përfundimtar të kandidatëve, sipas metodologjisë së përcaktuar paraprakisht. Në përfundim të procesit të vlerësimit hartohen listat e kandidatëve të mundshëm, që do të përfshihen në procesin e konsultimit nga anëtarësia në secilen Degë”).
Konkluzioni: Vendimmarrja e fundit e komisionereve u realizua qartazi në shkelje të plotë të autoritetit të dhënë atyre nga Udhëzimi nr. 60 kryetarit të PDSH dhe Statuti i PDSH. Ata morën një vendim kur tagri u kishte përfunduar. Vlerësimi përfundimtar i komisionerëve mbyllej në momentin kur emrat e kandidatëve dërgohen në degë. E drejta e komisionerëve për të shqyrtuar kandidatët përfundoi ditën, që emrat i shkuan anëtarësisë për konsultim (në Shkodër, me datë, 30 shtator 2020). Pika 32 e udhëzimit e përcakton krejt qartë këtë: “Kryesia e Partisë përzgjedh kandidatët zyrtarë të PD në zgjedhje nga Lista e Kandidatëve të konfirmuar nga anëtarësia”. Mirëpo Komisionerët, nën ethet e tyre paranojake skualifikuese, gabimisht iu referuan nenit 31, duke bërë të paditurin, mbasi ajo pikë qartazi duhej të përdorej nga komisioni vetëm për ata kandidatë, të cilët ishin konfirmuar fillimisht, por më pas u skualifikuan nga anëtarësia.
Për të gjitha arsyet e shpjeguara më lart, unë pyeta Kryetarin e PDSH që së pari, ndaj meje të kërkohej falje nga autorët, për shprallimin e padrejtë publik dhe të korigjoheshin pasojat e dëmeve juridike. Po ashtu, vendimi i datës 21/22 tetor 2020 i Komisionit të Vlerësimit të Deputetëve të shpallej nul, d.m.th. i pavlefshëm, për shkak se dilte jashtë të gjitha parashikimeve dhe konceptit të Udhëzimit nr. 60. Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit nuk kishin kryer vlerësim individual mbi metodologji, të protokolluar, bazuar në parashikimet e nenit 19 të Udhëzimit, por votim të fshehtë, të pabazuar në kriteret e vendosura. Mbi të gjitha, pretendimi se ishte bërë vlerësim bazuar në kritere, rezultoi i pavertetë (një mashtrim i rëndë publik i takticienit, tregtarit të proceduar të pyjeve dhe përkthyesit të Nexhmijes), i paprotokolluar dhe shumë fyes në deklarimin diferencues. Sipas deklarimeve të besueshme, komisionerët kishin realizuar vetëm votim të fshehtë mbi emra në fazën e tretë, pa pasur parasysh rezultatet e arritura në procesin e konsultimit në bazë, ndërkohë që neni 25 e saktëson atë shumë qartë. Po ashtu i kam kërkuar, Gjykatës së Partisë dhe kryetarit të opozitës, që të shpallë papërputhshmërinë për të qenë pjesë e strukturës verifikuese dhe shqyrtuese konform me kërkesat e Udhëzimit për Pastërtinë e Figurës, të gjitha ato anëtarë të Komisionit, që janë të thirrur nga ligja për të marrë çertifikatën respektive para autoriteteve zyrtare dhe nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Me mbetën një mijë pyetje pa përgjigje, por veç njera prej tyre më rëndon shumë: si asht e mundshme, që personazhe të cilët nuk i kanë deklaruar më parë anëtarësisë së PD dhe publikut prejardhjen e pronave dhe pasurisë që disponojne, nuk kanë marrë çertifikatat e pastërtisë sikurse e kërkon ligja dhe rregullat e brendshme të PD, guxojnë të vendosin nën shenjestër pandershmërisht njerëz, që punojnë dhe ndërtojnë jetën e tyre bazuar në norma tërësisht të pastra morale dhe ligjore? Dikush e solli këtë kombinim të pamenduem, këtë kontorno të cinizmit, ligësisë, egoizmit, pabesisë, mendjemadhësisë boshe, për të rrethuar me presion një udhëheqësi opozitare, që po ngrihet nga rrënojat e një sistemi të shkatërruar kushtetues dhe juridik, për të marrë drejtimin e stabilizimit të vendit, për t’i dhanë popullit shpresë dhe perspektivë për të ardhmen. Posaçërisht e rëndë është përpjekja për të dëmtuar përfaqësinë demokrate shkodrane, për t’i imponuar Shkodrës, Malësisë, Dukagjinit, Pukës, që ka qenë mbështetja tradicionale e opozitës properëndimore, një përfaqësi të pilotuar dhe formale. Kjo është tëresisht e papranueshme, ndaj besoj se zoti Basha do ta shfuqizojë përpjekjen sabotuese të komisionerëve, ndaj një procesi te ri demokratik, që PD filloi me aq përkushtim e seriozitet në muajin korrik 2020 dhe do rikryejë vlerësimin përmes metodologjisë së aprovuar dhe rrugës institucionale.