Është e dyta javë që trajneri i Partizanit, Ilir Daja, shkëlqen në distancë. Problemet shëndetësore e kanë detyruar Dajën që të rrijë larg skuadrës dhe udhëzimet t’i japë përmes telefonit dhe rrjeteve sociale. Fitorja me Kukësin në shifrat 4-1 ishte më e bujshmja e javës së 11-të, kështu që “trofeu” i trajnerit më të mirë të javës së 11-të i shkon trajnerit të Partizanit, Ilir Daja. Me dy fitoret e fundit të kuqtë janë ngjitur në vendin e dytë.
TRAJNERI MË I DOBËT
Dorëzohet edhe Skënder Gega. Riktheu titullin te Partizani pas 26 viteve, por te Kukësi nuk i eci dhe humbja ndaj të kuqve bëri që Gega të hapte krahun. Kukësi kurrë nuk kishte pësuar 4 gola në Superiore, kështu që trajneri e kuptoi se gjërat nuk po ecnin si duhet, pasi edhe skuadra u duk “e hallakatur” dhe të linte përshtypjen se nuk e ndiqte trajnerin. Me këtë largim i bie që Gega të mos bëhet pjesë e kësaj rubrike në vijim.