Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojet Sociale Ogerta Manastirliu, ka publikuar një videomesazh nga artistja e njohur Justina Aliaj e cila prej ditësh po trajtohet në Spitalin COVID1.
Në video Justina Aliaj ka shprehur vlerësimin e saj maksimal për shërbimin e marrë në spital, për mjekët e Shërbimit Infektiv duke deklaruar se pas një sëmundje jashtëzakonisht të vështirë shpresa e saj e vetme ishin mjekët për të cilët artisjta shprehet se kanë punuar në mënyrë intensive.
“Ishte një përjetim i tmerrshëm, me këputje të jashtëzakonshme, me një lodhje mendore po të jashtëzakonshme dhe ato muskujt që nuk do ti harroj kurrë sikur ishin shkëput nga kocka, asgjë nuk funksiononte, gjithcka përjetoje ishte dhimbja, duhet më thënë pa shpresë, e vetmja shpresë ishte që më mbajtën gjallë doktorët. Kjo ishte ajo që unë e kam në shpirt dhe do ta marr me vete kudo që të shkojë e derisa të jetojë. Këta mjekë ishin kaq konseguentë, në radhë të parë nuk harroj shpirtin e tyre përveç asaj çka bënë medikamentet. Nuk harroj kurrë se si ata vinin më thoshin që ne nuk të lëshojmë dhe ti nuk del prej këtu pa u shëruar, do të dalësh prej këtu e shëndoshë”, thorë Aliaj.
Duke treguar vështirësitë e sëmundjes, Justina Aliaj, ka bërë këtë apel nga spitali infektiv: “Unë kam vetëm një apel për të gjithë popullin shqiptar, ata e dinë, e shohin, e kanë parë, shpresoj që nuk do e kalojnë këtë mynxyrë, që na ka pllakosur në derë, ju lutem 1 mijë herë mos i hiqni maskat, maska sot është jeta juaj, mos provoni atë që provuam ne, ju mjafton eksperienca jonë ”, shprehet Justina Aliaj.