Me 72 vota për parlamenti i Kosovës miratoi të premten ligjin për rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e pandemisë së Covid-19. Ligji, sipas qeverisë, parasheh një mbështetje për bizneset e vendit dhe qytetarët në vlerë prej rreth 560 milionë eurosh dhe do të jetë në fuqi deri në dhjetor të vitit të ardhshëm. Miratimi i ligjit u bë i mundur pasi partitë në pushtet u pajtuan të përfshijnë propozimet e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, e cila kërkoi pagesa për punonjësit që kanë humbur vendin e punës, kompensimin e parave të tërhequra për një grup i qytetarëve nga Fondi Pensional dhe lirimin e bizneseve nga tatimi mbi vlerën e shtuar për lëndën e parë.

Kundër projektligjit ishte lëvizja Vetëvendosje në opozitë e cila kritikoi partitë politike për mënyrën e hartimit të pakos financiare. “Dhe ju sot na e sillni një pako që shtyheni a ka qenë me iniciativë të PDK-së apo LDK-së por prapë është e njëjta, cila është iniciativa a është nga LDK-ja apo PDK-ja nuk ka rëndësi sepse keni brumin e njëjtë, e kemi një brumë të njëjtë ku keni me pas fond ku nuk specifikohet asgjë, ku qeveria ka me pas në dorë me ato milionat e shumtë të vendos ad-hoc aty për aty, kujt do t’ia jap ato para dhe kujt jo”, tha deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu.

Kjo nxiti reagimin e Lidhjes Demokratike në pushtet dhe Partisë Demokratike në opozitë. “Ideja përjashtimore le të kallet vendi se ne nuk duhet të bëhemi bashkë nuk ekziston si koncept te ne dhe nuk duhet të ekziston si koncept as te ju prandaj këtë seancë të thirrur sot këtu nga të zgjedhurit e zakonshëm të popullit të Kosovës”, tha shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi. “Ligji që sot po sjellim nuk është ligj për votuesit e ndonjërit, është ligj për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe është ligj për bizneset të cilat afarojnë në Kosovë. Asnjë ndërlidhje për zhvillimet që mund të ndodhin në të ardhmen nuk e ka ky ligj të cilin sot po e diskutojmë”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Bedri Hamza.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se ligji do të mundësoj mbështetjen e bizneseve dhe qytetarëve në përballjen me pasojat e pandemisë. “Dhe unë besoj që për aq sa kemi pasur mundësi kemi mbërri dy efekte, të parandalojmë largimin e bizneseve nga tregu nga funksionimi i tyre i zakonshëm edhe parandalojmë për aq sa është e mundur që familjet të bijnë nën pragun e varfërisë duke përdorur kritere shumë objektive të shpërndarjes të kësaj shume që është pjesë e buxhetit”, tha kryeministri Hoti.

Banka Qendrore ka parashikuar që ekonomia e Kosovës do të shënojë rënie me 7.2 për qind gjatë këtij viti për shkak të situatës së krijuar me kufizimet për pengimin e përhapjes së infektimeve. Rreth nëntë muaj që nga shfaqja e pandemisë, Kosova po vazhdon të përballet me gjendje të rëndë shëndetësore. Të premten, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi 478 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi dhe 11 viktima në 24 orët e fundit. Rastet e reja e çuan afër 42 mijë numrin e përgjithshëm të të prekurve nga të cilët 1073 kanë humbur jetën, ndërsa mbi 27 mijë janë shpallur të shëruar./VOA/