Organizata Botërore e Shëndetit, dëshiron t’i bëjë një vizitë shtetit të Kinës dhe atë sa më shpejtë të jetë e mundur, me qëllim që të mund të konfirmohet prejardhja e coronavirusit, ka bërë të ditur kreu i kësaj organizate Tedros Adhanom Gebreyesus.
“Planifikojmë dhe shpresojmë që do të jemi në terren sa më shpejtë të jetë e mundur”, ka shtuar ai gjatë një konference për mediave. Ai gjithashtu theksoi se OBSH-ja deri më tani nuk ka pasur kontakt me administratën e presidentit të ri të zgjedhur amerikan Joe Biden.
“SHBA-të janë në fazën tranzitore dhe ekipi nuk është formuar ende plotësisht, për këtë nuk mund të ketë bisedimet formale kur ata janë në tranzicion”, ka shtuar Tedros. Kur është fjala për vaksinim, OBSH-ja nuk parashikon se shtetet do të obligojnë qytetarët të marrin vaksinën kundër coronavirusit, ka bërë të ditur zyrtarja e OBSH-së, Kate O’Brien.
“Mendoj se nuk ka ndonjë parashikim që cilido vend ta bëjë obligative marrjen e vaksinës”, ka shtuar O’Brien, drejtoreshë për prodhime biologjike dhe vaksina imunitare pranë OBSH-së.