“Në kohë jashtëzakonisht të vështira, Shqipëria ka bërë një punë shumë të arrirë me stafin e saj në Tiranë dhe Vjenë”, deklaroi ambasada e Gjermanisë në vendin tonë. “Falenderimet dhe urimet tona të sinqerta për drejtimin e suksesshëm shqiptar të OSBE-së për vitin 2020. Në kohë jashtëzakonisht të vështira, Shqipëria ka bërë një punë shumë të arrirë me stafin e saj në Tiranë dhe Vjenë”, thuhet në deklaratën e ambasadës gjermane. Kjo, cilësohet në deklaratë, shihet gjithashtu tek Këshilli Ministerial, i cili aktualisht po zhvillohet virtualisht dhe në Tiranë, dhe ku po merren përsëri vendime të rëndësishme, ndër të tjera emërimin e katër pozicioneve të larta.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas gjithashtu falënderoi Presidencën Shqiptare për punën e palodhshme dhe theksoi rëndësinë e OSBE-së. “Ne duam një OSBE të fortë e cila është në gjendje të veprojë. Unë i përgëzoj përzemërsisht kandidatët e suksesshëm, ndër tyre dhe zonjën Helga Schmid, për emërimin e tyre! Ne do t’ju mbështesim në punën tuaj kudo që të mundemi“, ka deklaruar ai. Shqipëria mbajti kryesinë e  OSBE-së gjatë vitit 2020.