Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi dhe Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla ishin në shkollën 9-vjeçare “Adem Krasniqi” në lagjen “Skënderbej” në Elbasan. Ministrja Kushi mori mendimet e mësuesve dhe nxënësve për mësimin e kombinuar në shkollë dhe mësimin “online”, ndërsa kërkoi angazhim maksimal edhe në këto ditë të mbetura, deri në mbylljen e shkollës për pushimet e fundvitit:

“Vendosëm që nxënësit e fillores të vijnë në shkollë sepse për ta është më e vështirë të zhvillohet mësimi “online”, por edhe konsiderohen si jo-transmetues të fortë të COVID-19. Edhe pak ditë mbeten deri në përfundim të këtij tre-mujori dhe kërkoj përkushtim, të kalojmë edhe këto ditë, dhe më pas do të kemi një periudhë më të gjatë pushimesh se vitet e tjera, e cila besojmë se do ta stabilizojë disi situatën”, tha Kushi.

Balla kërkoi më shumë përkushtim dhe disiplinë në këtë shkollë si dhe më tepër bashkëpunim dhe komunikim me prindërit. Balla tha se ky shqetësim është përcjellë nga komuniteti dhe një shkollë me të gjitha standardet infrastrukturore, si shkolla “Adem Krasniqi”, nuk mund të ketë standarde mësimdhënieje më të ulëta se shkollat e tjera të qytetit.

“Perceptimi i prindërve është se kjo shkollë s’ka të njëjtin rregull si shkollat e tjera të qytetit. Pra, duhet që shkolla e lagjes “Skënderbej” të mos ketë asnjë ndryshim në standard nga shkollat e tjera”, u shpreh Balla.