*Letër lamtumire nga mjeku dhe profesori i njohur Mentor Petrela, për neurologun Drin Dobi, që humbi betejën me Covid më 9 dhjetor.

Natë e ftohtë në Rinas nga një ‘arrivals’ jo e zakonshme, zbriste Drini nga qielli në prag Krishtlindjesh, sa për të na dhënë lamtumirën.

“Thyem rregullin” ne të mjekësisë të grumbulluar në heshtje me duartrokitje, duke shtruar asfaltin me karafila të bardhë. Qielli i errët nga smogu ndërkohë nuk linte të shiheshin yjet ose ndonjë meteor.

E-mailit të fundit të 11 Nëntorit me Drinin e shtruar në Neurologji me COVID-19 me propozime optimiste për shërbimin që drejtonte, nuk ia ktheva, parandjenjë më tepër se sa gabim, a peng duke imituar Dickens, që nuk ju përgjigj Andersenit kurrë. Kur u paraqit si kandidat që kishte fituar të drejtën për t’u specializuar në Neurologji e pyeta: Drini nga Dobatet e Ismail Kadaresë je? Nisi të më shpjegoje lidhjet familjare, aty fiksova prozodinë e zërit të tij mbresëlënës. Më vone me Kukullën realizova disa karakteristika të ngjashme.

Ndoqi etapat e specializimit duke studiuar, por ajo që binte në sy ishte përkushtimi dhe humanizmi me të cilin trajtonte të sëmurët me një paralelizëm shembullor në kolegjialitet. Kreu specializimin dhe mbeti i uritur për të mësuar duke frekuentuar stafet e përjavshme duke pritur me këmbëngulje, deri sa të gjente një dritare kohë nga koha kirurgjikale për të diskutuar për pacientin “Shenjtin”* e tij.

Mbeti gjithnjë nxënës por siç i rrëfehej Gete Schillerit ”mos mirënjohja është dobësi nuk kam njohur njerëz të mëdhenj mosmirënjohës”. Prandaj Drini i vogël u rrit u bë shef Shërbimi i Urgjencës Cerebrovaskulare, mirënjohës ndaj atyre që e mësonin dhe shërbyes i përulur ndaj të sëmurëve, familjarëve, një ministër i vërtetë. Nuk iu desh shumë kohë Drinit për t’u bërë Aristotelian, kam qenë i bindur kur i kam besuar mësimdhënien e parë, ashtu si në portikun e Eton College shkruhet ”Teach me if you can” e meritoi me zellin e tij të ”tepruar”.

‘De mortuis nil nisi bonum’, nuk duhet, kërkoj ndjesë në qoftë se ndokush preket ose fyhet, por e vërteta është se Drini besoi shumë dhe kishte një asimetri të madhe në institucionin e besimit e të dashurisë së tij në raport me të tjerët dhe kjo e dëmtoi.

Në katër-pesë netët e fundit që kaloi në reanimacion e A3 arrita disa herë në ditë ta shoh përmbys pa konceptin ARN virale me leprozariumin biblik në mendje, duke i fërkuar pa doreza e pa maskë kurrizin leshator për t’i transmetuar sensibilitetin, buzëqeshjen, duke i folur e inkurajuar humanizmin që e dashuronte. Ishte vigjil, ‘arrita të fle’ më tha një ditë, të nesërmen më pyeti ‘do behëm mirë?’. Avioni pritej gjatë ditës, Florinda tek hyrja e reanimacionit me maskë me pyeti ‘si është profesor?’. I shastisur dhe duke mos identifikuar nga maska e saj arrita të vë maskën e teatrit e të mërmërisë “është i qëndrueshëm”. Më fal Florindë.

NA FAL DRINI

Nota Bene.

Në oborrin e Polit të Neuroshkencave do të mbillet një pemë Ulliri In Memoriam të Drini Dobit