Nga Enver Robelli/

Këtë letër e publikoi sot zoti Izet Duraku, ish-drejtor i Radio Kukësit. Kjo letër daton nga viti 1992. Dhe si pothuaj asnjë letër ajo dëshmon gjendjen e vështirë, të tmerrshme në të cilën gjendeshin Shqipëria dhe Kosova në fillim të viteve 90-të. Përmes kësaj letre apelohet që njerëzit në Kosovë të mobilizoheshin për të blerë një faks për të lehtësuar marrjen e informacioneve ditore mbi gjendjen në Kosovë. Pra, Shqipëria si shtet më 1992 s’kishte mundësi të siguronte as një faks për Radio Kukësin.

Por te Radio Kukësi dhe në Prizren kishte njerëz vullnetmirë e patriotë që bënin çfarë ishte e mundur për të transmetuar sa më shumë informata mbi terrorin serb në Kosovë. Në këtë letër gjendet një përgjigje se përse janë qesharakë dhe aventurierë ata politikanë rrahagjokës që thonë se Kosova e Shqipëria që më 1992 duhej të nisnin luftën kundër pushtuesit serb. Radio Kukësi ka merita historike jo vetëm për informimin e opinionit të Kosovës, sidomos të brezit kufitar me Shqipërinë, por edhe për fonotekën legjendare me këngë patriotike e qytetare, të cilat nga viti 1959 (kur u hap radioja) dëgjoheshin edhe në Kosovë. Sot, kur Kosova është e çliruar, e lirë dhe e pavarur, ndoshta nuk është vonë që Radio Kukësi dhe punonjësit e tij të nderohen nga institucionet e Kosovës me medalje apo dekorata të larta. Do të ishte një gjest i vogël për një kontribut të madh atdhetar të Radio Kukësit. Do të ishte gjest shumë më i mirë se përmendoret absurde në Kosovë që ndërtohen për interesa elektorale dhe parapolitike.