Autokrati turk Rexhep Taip Erdoan po i hakmerret filantropit dhe intelektualit Osman Kavala. Ai është i burgosur politik. Ai është viktimë e arbitraritetit politiko-juridik të kryetarit turk dhe gjyqësisë së nënshtruar prej tij. Në viset shqiptare asnjë institucion kulturor, asnjë politikan, asnjë intelektual publik nuk e ka kritikuar keqtrajtimin e Osman Kavalës. Ndërkohë duartrokitësit dhe lakenjtë e Erdoanit nga Prishtina në Shkup e tutje në Tiranë vringëllojnë armët virtuale për të mbrojtur çdo mizori të regjimit të Erdoanit, të cilin e kundërshtojnë afër 50 për qind të vetë turqve.
Nga Enver Robelli/
Osman Kavala, njëri prej intelektualëve më të njohur turq, njëri prej aktivistëve më të shquar për të drejtat e njeriut, njëri prej zërave më fisnikë të shoqërisë civile properëndimore turke, njëri prej përkrahësve më të mëdhenj të projekteve kulturore në Turqi dhe të pakicave – gjendet në paraburgim që nga viti 2017.
Në vitin 2019 madje edhe drejtësia e kapur turke nuk pati rrugëdalje tjetër përveç se ta lirojë Kavalën nga akuzat e pabaza se më 2013 i ka organizuar protestat kundër shkatërrimit të Parkut Gezi në Stamboll. Ndonëse u shpall i pafajshëm, Kavala nuk u lirua nga burgu përkundër apeleve të shumta të bashkësisë ndërkombëtare, intelektualëve, mediave, organizatave për të drejtat e njeriut, gjykatave ndërkombëtare.
Këtë javë Kavala është nxjerrë sërish para gjyqit – me një akuzë të re: se paskësh organizuar përpjekjen për grusht të shtetit në vitin 2016. Këtë ai e paskësh bërë bashkë me shkencëtarin Henri Barkey, i cili jeton në SHBA. Cila është dëshmia për këtë akuzë? Lexoni me kujdes: prokuroria thotë se të dhënat e telefonave mobilë të Kavalës dhe Barkey tregojnë se ata kanë qenë në zonën e njëjtë. Kjo, sipas prokurorëve, nënkupton se ata është e mundur të jenë takuar.
I kyçur me videolink nga burgu, Kavala tha se «akuzat e reja bizare» ndaj tij janë «një formë e torturës». Avokatët e Kavalës deklaruan se akuzat e reja janë «një akt hakmarrjeje» për shkak të dështimit të procesit të parë kundër Kavalës. Presidenti autoritar turk Rexhep Taip Erdoan e ka shpallur Kavalën armik dhe e ka atakuar atë disa herë personalisht. Drejtësia e kapur turke po zbaton urdhërat e sundimtarit. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut më 2019 ka vendosur se nuk ka arsye që Kavala të mbahet në burg. Turqia është anëtare e Këshillit të Europës dhe duhet të respektojë këto vendime. Erdoan dhe regjimi i tij nuk i respektojnë. Kavala i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese turke, por ajo në fillim të javës e shtyu vendimin.
Osman Kavala është i burgosur politik. Ai është viktimë e arbitraritetit politiko-juridik të kryetarit turk dhe gjyqësisë së nënshtruar prej tij. Në viset shqiptare asnjë institucion kulturor, asnjë politikan, asnjë intelektual publik nuk e ka kritikuar keqtrajtimin e Osman Kavalës. Ndërkohë duartrokitësit dhe lakenjtë e Erdoanit nga Prishtina në Shkup e tutje në Tiranë vringëllojnë armët virtuale për të mbrojtur çdo mizori të regjimit të Erdoanit, të cilin e kundërshtojnë afër 50 për qind të vetë turqve. Në zgjedhjet lokale që u mbajtën vitin e kaluar, partia e Erdoanit AKP humbi shumicën e qyteteve të mëdha, mes tyre edhe Stambollin.
Megjithatë, Erdoan ka vazhduar provokimet kundër Perëndimit. Me blerjen e sistemit kundërajror nga Rusia, Turqia ka shkaktuar tensione me SHBA-të dhe Kongresi ka vendosur sanksione kundër Ankarasë, të cilat mund ta godasin industrinë e armatimit të Turqisë. Edhe Bashkimi Europian është kërcënuar me sanksione për shkak të shpim-kërkimeve të një anijeje turke në ujërat që i përkasin zonës ekonomike greke dhe Qipros. Në tetor Erdoan ashpërsoi raportet me BE-në duke bërë thirrje për bojkotim të mallrave franceze. Kriza e thellë ekonomike që kërcënon ta kaplojë Turqinë e ka detyruar Erdoanin t’i lutet BE-së për shtendosje të raporteve. Para një muaji Erdoan e largoi nga posti dhëndrin e tij Berat Albayrak, i cili si ministër i financave dëmtoi besimin e investitorëve ndaj Turqisë, rrjedhimisht lira turke u fut në një spirale zhvlerësimi. (Tema)