I pyetur për qëndrimin dhe letrën e familjes Rasha të publikuar sot, ku bënte thirrje për mospërdorim politik të situatës, Sandër Lleshaj u shpreh se kjo familje meriton të gjithë respektin e shqiptarëve. Ai tha se ka qenë për vizitë te kjo familje pasi ka dhënë dorëheqjen.
“Familja Rasha po demonstron njjë dinjitet të jashtëzakonshëm, një dinjitet të pritshëm për një familje shqiptare, malësore. Gjej rastin edhe një herë që të shpreh edhe një herë ngushëllimet. Kodi i vdekjes ndër shqiptarë është i shenjtë, shqiptarët kanë arritur ta ruajnë edhe sot traditën, ndryshe nga çdo pjesë të jetës sonë. Shenjtëria dhe solemniteti i mortit shqiptar nuk është prekur.
Nga ana tjetër më vjen shumë keq që u tentua nga segmente të caktuara për të shpërdorur dhe përdhosur një mort për qëllime të caktuara politike. Edhe këtu dua ta falënderoj familjen Rasha e cila nuk u përdor por qëndroi me dinjitet.
Familja Rasha meriton të gjithë simpatinë e shqiptarëve sot. Unë kam qenë në një vizitë por nuk preferoj që këto vizita t’i bëj publike. E kam bërë vizitën pasi dhashë dorëheqjen. Jo se kisha merak për ta vajtur se në veri shkohet në këto raste edhe te hasmi. Doja të shkoja thjesht si Sandër Lleshaj. E kam konstatuar me nder që ata e meritojnë të gjithë respektin e shqiptarëve”, tha Lleshaj.