Tiranë, 14 Dhjetor – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar qendrën e re shëndetësore në Vaqarr, ku sapo ka përfunduar rikonstruksioni i plotë, në kuadër të programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore. Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se, megjithë situatën e vështirë të epidemisë, nuk është ndalur për asnjë moment programi kombëtar i rimëkëmbjes së qendrave shëndetësore nga veriu në jug dhe programet e shëndetit publik, pranë mjekut të familjes, duke filluar me vaksinimin kundër gripit.
“I morëm masat në kohë, në fund të shtatorit filloi ky program dhe po vijon vaksinimi kundër gripit, i cili është falas për të gjithë grupet e riskuara. Janë 368 mijë vaksina ose 4 herë më shumë se viti i kaluar që i siguruam falas për qytetarët. Aktualisht janë rreth 200 mijë vaksina që janë kryer dhe po vijojnë të aplikohen gjatë këtij muaji dhe vaksinat e tjera, të cilat janë në të gjithë zinxhirin ftohës kudo në qendrat shëndetësore dhe ambulancat në të gjithë vendin. Jo vetëm që po bëhen vaksinat e gripit në qendrat shëndetësore por jemi duke i aplikuar gjithashtu edhe në komunitet, edhe në vendin e punës, si për edukatoret e kopshteve dhe çerdheve dhe për arsimtarët”, bëri me dije Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë e konsideroi vaksinimin masiv kundër gripit, si një ushtrim të mirë përgatitor, në pritje të vaksinës anti-covid. “Së bashku jemi duke punuar çdo ditë, jo vetëm përsa i përket programit të vaksinimit që është shumë i rëndësishëm edhe si një ushtrim i cili paraprin edhe vaksinimit kundër COVID-it, për të cilin jemi duke punuar fort, në mënyrë që ta kemi sa më shpejt vaksinën e sigurt të disponueshme në vendin tonë”, tha Manastirliu. Me programin e rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, mbi 1 milion banorë kanë përfituar deri tani shërbim shëndetësor në kushte dhe standarde bashkëkohore, në shërbimin që marrin pranë mjekut të familjes, duket filluar nga vaksinimi e deri tek ndjekja e të sëmurëve kronike.