Ashley Roszko, një agjente shitjesh prej 22 vitesh në Detroit, tregon se pëlqen një nga kolegët e saj.
“Unë në thelb kam punën time të ëndrrave dhe kam në plan të punoj këtu për pjesën tjetër të karrierës sime,” shpjegon ajo.
Megjithëse marrëdhëniet mes punonjësve nuk janë plotësisht të ndaluara, zonja Roszko thotë se shefi i saj në përgjithësi nuk i pëlqen ato.
“Kështu që ndjehem çuditshëm sepse, sikur diçka romantike të zhvillohej dhe ai ta zbulonte, kjo do t’i bënte gjërat vërtet të vështira. Pse të rrezikoj?,”shpjegon ajo e shqetësuar.
Shumë punëtorë mund të krijojnë marrëdhënie mes njëri tjetrit, por ndryshimet që kanë ndodhur kohët e fundit kanë bërë që gjenerata e re t’i shohin marrëdhëniet në punë si një ide shumë e keqe.
Sipas psikologëve, ne jetojmë në një kohë të vështirë për një romancë në vendin e punës. Kompanitë kanë eksperimentuar kohët e fundit me politika, si ajo në firmën e investimeve “BlackRock”, që u kërkon punonjësve të zbulojnë marrëdhëniet e tyre me kolegët jo vetëm kur janë jashtë pune, por edhe nëse ata vijnë në zyre. Pra nëse krijoni marrëdhënie romantike me kolegun duhet ta deklaroni.
“Ne kemi filluar të shohim një rënie të romancave në vendin e punës rreth vitit 2013. Nga viti 1995 deri në vitin 2017, përqindja e çifteve heteroseksuale që u takuan në punë ra nga 19% në 11%, sipas një studimi për një kohë të gjatë të Universitetit të Stanfordit të quajtur “Si Çiftet Takohen dhe Qëndrojnë Së bashku” thotë Amy Baker, një pedagoge e psikologjisë në Universitetin e New Haven.
Sipas Baker, gjenerata e re është më shumë e prirur të krijojë marrëdhënie në rrjete sociale se sa në vendin e punës.
“Ekzistojnë këto stigma të çuditshme rreth takimeve në vendin e punës, veçanërisht për njerëzit e moshës sime, ku nëse keni një marrëdhënie në vendin e punës, shihet si jo profesionale dhe ju shikoni se nuk përqendroheni në punën tuaj”, thotë Erin Brady, një Student 20-vjeçar në kolegjin shtetëror të Melbourne, i cili punoi në një qendër komunikimi në fillim të vitit.
“Unë nuk dua të them se është tabu, por është diçka e papëlqyeshme,”shton ai.
Akoma, është e paimagjinueshme që romanca në vendin e punës të zhduket plotësisht. Sipas një studimi të fundit nga Shoqata për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në SHBA, mbi gjysma e të gjithë punëtorëve të pyetur, raportuan se kishin dalë me një koleg për të krijuar një lidhje.
Ajo çfarë është bërë e çuditshme është se punëdhënësit kanë kërkuar nënshkrimin e kontratave për marrëdhëniet që krijohen në punë.
“Kur dëgjova për herë të parë, rreth katër vjet më parë, mendova se ishte një shaka”, thotë Mark Kluger, një avokat punësimi në Fairfield, NJ. Ai ndryshoi mendim në vitin 2017, kur një firmë e shërbimeve financiare kërkoi ndihmën e tij në hartimin e një kontrate për të deklaruar në kontratë se romanca e dy punonjësve të saj nuk do ndikojë në rendimentin e punës.
Disa punëdhënës kërkojnë të shtojnë dispozita më specifike për romancat në punë dhe një prej tyre është edhe përmbajtja e veprimeve romantike.
“Sot, unë po i shoh këto kontrata në shumë mjedise punë,” thotë Z. Kluger.
Përkundër skepticizmit të tij në fillim, ai tani u rekomandon kontrata të tilla klientëve të shumtë të korporatave që i afrohen për krijimin e një politike më të fuqishme të marrëdhënieve romantike në vendin e punës.
Disa kompani kanë miratuar politika konkrete, që ndalojnë marrëdhëniet romantike midis çdo punonjësi të caktuar. Kompanitë e mëdha të teknologjisë si Google kanë eksperimentuar gjithashtu me një politikë që lejon punonjësit të dalin një koleg një herë dhe vetëm një herë.
Këto gjëra kanë bërë që personat të jenë më të stepur për të krijuar marrëdhënie mes kolegëve në punë. Ekspertët e shëndetit mendor shpjegojnë se izolimi ka nxitur më shumë dëshirën për shoqëri por jo për marrëdhënie romantike. Sipas tyre, njerëzit tashmë janë më të stepur për të pasur marrëdhënie në zyrë dhe kjo ka nxitur edhe një komunikim më formal mes tyre.(The Wall Street Journal, Gazeta “Si”)