Boris Johnson dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen do të kërkojnë ditën e sotme të arrijnë një marrëveshje tregtare pas Brexit.
Negociatorët për të dy palët Michel Barnier dhe David Frost thirrën të dy udhëheqësit pasi deklaruan se kishte ende “divergjenca të konsiderueshme” pas një jave bisedimesh intensive. Ndërkohë që kanë ngelur shumë pak ditë para përfundimit të afatit dhe Britania të braktisë rregullat e vjetra të BE-së. Pjesa më e madhe e marrëveshjes ka përfunduar, por ka ende pika për të cilat palët nuk po bien dot dakord. Këto përfshijnë të drejtat e peshkimit, subvencionet shtetërore për biznesin dhe mënyrën e vëzhgimit të marrëveshjes.
Në 31 Janar 2020, Britania u largua nga BE, por udhëheqësve u duhej kohë për të negociuar një marrëveshje për marrëdhëniet tregtare të mëvonshme. Prej më shumë se 10 muajsh, palët kanë vazhduar bisedimet për arritjen e një marrëveshje e cila ka dështuar. Por nëse deri me 31 Dhjetor marrëveshja nuk arrihet, do të vendosen kontrollet dhe taksat kufitare për mallrat që trasnportohen midis MB dhe BE.
Edhe brenda BE, ka pasur qëndrime të ndryshme në lidhje me marrëveshjen që mund të bien dakord. Ministri i Evropës i Francës sugjeroi që vendi i tij mund të vinte veton nëse nuk ishte i kënaqur me marrëveshjen e arritur. Ndërkohë, zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel është shprehur i bindur se “ka gjithmonë hapësirë për kompromis”.