Nga dita e sotme, hyjnë në fuqi masat e reja kufizuese të marra dy ditë më parë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Bazuar në vlerësimin e riskut që sjellin grumbullimet dhe shtimi i kontakteve gjatë festave të fundvitit, Komiteti vendosi që duke nisur nga mbrëmja e sotme deri më datë 4 janar 2021, do të ketë kufizim të lëvizjes nga ora 20 e 30 e mbrëmjes deri në orën 6 të mëngjesit.
Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Të njëjtës fashë orare i nënshtrohen edhe aktivitetet e bareve, e restoranteve. Personat që lëvizin për arsye pune apo arsye të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit e-albania.
Prej datës 5 janar kufizimi i lëvizjes rikthehet në orën 22:00-06.00. Gjithashtu, Komiteti i Ekspertëve vendosi pezullimin e fluturimeve me Britaninë e Madhe deri në datë 6 janar si dhe masën e karantinës së detyrueshme 14 ditore për qytetarët që hyjnë nga Britania përmes rrugëve të tjera.