“Respekt për mjekët që detyrën e tyre, përveçse angazhim profesional, e konsiderojnë detyrim moral dhe atdhetar në këto ditë lufte të përballjes me armikun e padukshëm”, tha sot Kryeministri Edi Rama.
Kryeministri solli shembullin e njërit prej tyre, Lilit, i cili pasi mbaroi studimet për mjekësi në vitin 2018 në Rumani, u kthye për t’i shërbyer vendit, me gjithë kapitalin e tij njerëzor dhe intelektual”. Sot, ai është një nga 1600 mjekët e familjes që në të gjithë vendin po luajnë një rol kyç duke ndjekur e trajtuar pacientët e prekur me COVID-19, të cilët ndodhen në shtëpi me simptoma të lehta, sipas protokolleve të përcaktuara nga Komiteti i Ekspertëve, tha Rama. Ai është mjek në qendrën shëndetësore numër 1 dhe pasi ka mbaruar fakultetin e Mjekësisë në Rumani në vitin 2018 është kthyer në Shqipëri.
“Dua të jap kontributin tim në vendin tim, me aq sa unë kam mundësi dhe me gjithë dijet e mia në këtë kohë pandemie që ne po jetojmë. Është shumë e rëndësishme që ne të gjithë të kemi detyrimin moral dhe atdhetar mbi të gjitha ndaj popullit tonë dhe kjo bëhet duke zgjedhur atdheun. Ndaj dhe unë pas studimeve në Rumani vendosa të zgjidhja vendin tim që të jepja sadopak kontribut me mundësitë e mia modeste duke shpresuar që të bëhet më e mira për vendin tim”, tha ai. Aktualisht, dr. Lili tha se “qendrat shëndetësore dhe mjekët e familjes kanë një peshë shumë të madhe mbi supet e tyre, e cila vjen për shkak të pandemisë të COVID, që ne duhet ta marrim shumë seriozisht”.
“Përpiqemi të japim kontributin tonë duke komunikuar me të gjithë pacientët e diagnostikuar me COVID. Ata që janë të dyshuar dhe pacientë të tjerë që shfaqin simptoma të ankthit apo shqetësime të tjera. Janë dy skema të miratuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Skema përfshin antipiretik, antikoagulant, kortizonik dhe antibiotik. Kemi edhe një përgjegjësi morale që ta ndjekim pacientin edhe nëse shfaq probleme të tjera. Për këtë kemi komunikuar gjithnjë me 127. Kemi pasur një bashkëpunim të mirë që ka ardhur kur gjendja e pacientit është përkeqësuar. Gjatë gjithë orëve edhe natën kemi pasur kontakt me Urgjencën Kombëtare për pacientët që janë përkeqësuar. Jemi përpjekur me të gjitha mënyrat që t’u japin asistencë te ana e rimbursimit edhe për pacientët që janë kronikë. I kemi ndihmuar duke i kaluar recetat për rimbursim përmes telefonit. Duhet të ndjehemi krenar me punën që bëjmë në vendin tonë”, tha ai.