Ekipet mjekësore dhe mjekët e familjes po vijojnë punën e tyre të palodhur për trajtimin e pacientëve me COVID-19 në çdo cep të vendit. Më shumë se 22 mijë qytetarë me COVID-19 po ndiqen dhe trajtohen nga mjekët e familjes, me përkushtim e profesionalizëm. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila ka publikuar foto nga puna e përditshme e ekipeve mjekësore për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

“Krenare për punën e palodhur të ekipit mjekësor të qendrës shëndetësore nr.8 në Porto Romano dhe për të gjithë armatën e mjekëve dhe infermierëve të kujdesit parësor në çdo cep të vendit. Më shumë se 22 mijë qytetarë me COVID-19 po ndiqen dhe trajtohen nga mjekët e familjes, me përkushtim e profesionalizëm, duke u kujdesur për ecurinë shëndetësore të çdo qytetari”, shprehet Manastirliu.

“Garantojmë terapitë e mjekimi 100% falas për pacientët me COVID-19 në forma të lehta dhe të moderuara, që trajtohen në banesë”, thekson ministrja.

“Kontaktoni mjekun tuaj të familjes për ta përfituar menjëherë paketën e rimbursimit. Nëse nuk e dini kush është mjeku juaj, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për ta mësuar”, bën të ditur ministrja.