Metodologjia e re për llogaritjen e vlerës së sendeve të paluajtshme, mjeteve të lundrimit dhe mjeteve të fluturimit në procesin e ekzekutimit të detyrueshëm të vendimit të gjykatës apo të titujve të tjerë ekzekutivë ka hyrë në fuqi, pasi është miratuar në Fletoren Zyrtare. Qëllimi i kësaj metodologjie është garantimi i rregullave dhe i mënyrave për vlerësimin e sendit të paluajtshëm, mjetit të lundrimit apo mjetit të fluturimit, duke përcaktuar në këtë mënyrë bazën për përcaktimin e çmimit eventual të shitjes, për efekt të procedurës së ekzekutimit të detyrueshëm të vendimit të gjykatës apo të titujve të tjerë ekzekutivë

Në nenin 4 të vendimit thuhet se për përcaktimin e vlerës së sendit në procesin e ekzekutimit të detyrueshëm, përmbaruesi gjyqësor udhëhiqet nga parimi i mbrojtjes dhe i garantimit të së drejtës së pronësisë, ligjshmërisë, respektimit të standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurive, drejtësisë dhe paanësisë, transparencës, bashkëpunimit me persona juridikë dhe fizikë si dhe përgjegjshmërisë në marrjen e vendimeve. Përmbaruesi gjyqësor cakton një ekspert të licencuar të fushës për vlerësimin e sendeve të sekuestruara nga regjistri elektronik i personave të licencuar, i cili administrohet dhe publikohet nga Ministria e Drejtësisë.

Në rast se për vlerësimin e mjeteve të lundrimit dhe të fluturimit, ligji nuk parashikon licencimin e ekspertëve, përmbaruesi gjyqësor, vetëm për nevoja të ekzekutimit, zgjedh persona që kanë njohuri në fusha të veçanta. Eksperti i përzgjedhur kryen vlerësimin vetëm brenda fushës së licencës profesionale apo njohurive të veçanta në fushën e lundrimit ose të fluturimit, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore Për çdo kërkesë të paraqitur, eksperti i fushës përcakton në raportin e vlerësimit vlerën e tregut të sendit objekt vlerësimi Vlera e sendit të paluajtshëm përcaktohet nëpërmjet metodave të krahasimit të drejtpërdrejtë; e investimit (metoda e kapitalizimit të të ardhurave të investitorit); fitimit; kostos së zëvendësimit të amortizuar dhe metoda e zhvillimit.