Gjatë konferencës së zhvilluar ditën e sotme, Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka folur me anë të shifrave për shpërndarjen e energjisë elektrike. Ajo u shpreh se prej vitit 2014 e deri në 2020, çmimi i energjisë elektrike nuk ka ndryshuar dhe është në vlerën 9.5 lekë për kë ndërsa thotë se në 2013 ka qenë 13.5.
Përsa i përket prodhimit vendas, ajo shprehet se niveli i energjisë elektrike të prodhuar nga shfrytëzimi i ujërave është i ulët kjo për shkak dhe të thatësirës që ka karakterizuar vendin në 3 vitet e fundit.
“Niveli i arkëtimeve. E kemi shprehur në mld lekë. Për vitin 2005 e kemi pasur 24.1 mld lekë. Në 2020 shifra 58.87 lekë i përket 11 muajve. Kjo ulje është për pasojë të pandemisë. Diferenca mes vitit 2005 dhe sot është e madhe. Shifra për tu theksuar janë shifra në sektorët e shpërndarjes për nivelin e humbjeve në rrjet. Në vitin 2017 kishim arritur në nivelin 19% të humbjeve ndërsa kur e morëm ishte 45%. Niveli i humbjeve 4% është niveli europian dhe ky është synimi ynë për të arritur deri në 2023. Për ne kjo është një sfidë e mundur. Përsa i përket kostos së blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve, ne konsumonim 150 mln dollarë për blerjen e energjisë për mbulimi ndërsa sot kemi 70 mln dollarë.
Çmimi i energjisë dhe përdoruesi familjarë. Ne kemi një çmim të palëvizur që prej vitit 2014, nuk kemi rritje. Nga 13.5 kemi zbritur në 9.5 lek për kilovolt. Ndërprerjet vijnë për shkak të avarive. Kemi mundësinë për të kontrolluar dhe për të hyrë shpejt në sistem. Nga viti 2014 deri në 2020 investimet përkthehen 370 mln dollarë në sektorin e energjisë me stacionet e shpërndarjes së energjisë elektrike. 1.4 mln banorë janë përfitues të këtyre investimeve.
“Prodhimi i enregjisë është një sfidë e madhe, sot po përballemi për vitin e tretë radhazi me thatësirë. Ne jemi munduar që duke gjetur një mundësi bashkëpunimi midis prodhuesit dhe shpërndarësit të energjisë elektrike, kemi qenë të kujdesshëm për të balancuar humbjet. Ndodhemi në nivele historike të niveleve ujore të basenit të Fierzës. Niveli do një kohë të gjatë reshjesh për tu barazuar bilancin. Niveli i investimeve ka qenë 3.8 miliardë lekë ” tha Balluku.