Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi ka zhvilluar sot një takim “online” me homologun e saj turk, Ministrin e Arsimit Kombëtar të Turqisë, Z. Ziya Selçuk. Këtë e bën të ditur në publikimin e saj në rrjete sociale, teksa shprehet si vijon:
“Gjatë ditës së sotme, zhvillova një takim “online” me homologun turk Ziya Selçuk dhe delegacionet përkatëse për të diskutuar në lidhje me thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e arsimit mes Shqipërisë dhe Turqisë”. Ndërkaq, Ministrja Kushi nënvizon se gjatë takimit kanë biseduar për një sërë temash të rëndësishme, në fokus të të cilave është çuarja më përpara e bashkëpunimit dhe ndërmarrja e projekteve të përbashkëta me interes të ndërsjellë.