Nga Ben Andoni/
Ngjarjet e orëve të fundit të Shkodrës dhe mëtimet e kryebashkiakes së Shkodrës Ademi, si organizatore e protestës, të lenë një shije të keqe, atë që ka të bëjë me sensin e masës. Paçka një lloj tërheqje të Ademit dhe asaj që ka pretenduar për djegjen e selisë, kjo nuk e justifikon. Djegia e selisë së PS-së, prishjet e tabelave në shumë pjesë të vendit, por sidomos në kryeqytet kanë filluar të ngjallin ato shtresëzime që ne mbartim nga e shkuara për ngjarjet tragjike, që nisin me një si përkujtim dhe shkallëzohen e përfundojnë me fatkeqësi humane dhe dëme të panumërta. Tek e fundit, të gjitha në kurrizin tonë. Sot, kur po shkruajmë, kemi një djalë të humbur, jeta e të cilit është këputur në moshën më të mirë. Më shumë se kaq kemi para syve autorin pas hekurave dhe simbolikat që janë ngritur. Atë zyrtar, ku shteti ka kërkuar falje nga të gjithë instancat, madje vetë i akuzuari e pranon dhe kërkoi falje publike dhe direkte ndaj familjes dhe simbolikën e shkatërrimit. Kjo e fundit identifikon të gjithë atë që kemi bërë ne dhe pasojat e të cilave i kemi paguar po vetë ne. Tek e fundit, do të pranojmë faktin se nëse do përballesh me ligjin dhe do e sfidosh atë, duhet të presësh dhe pasojat. Ndërkohë që ata të cilët po mundohen të frymojnë protestën ende po flasin me ekuivokë, e tashmë gjithnjë e më dukshëm janë po ata vetë organizatorët. Madje forumet rinore të opozitës janë treguar me imazhe si pjesë e këtyre trazirave. Cilado që të jetë vazhdimësia, fatkeqësisht që ditën e tretë, ato janë sfumuar nga aktet e lënies në burg të efektivit; nga kërkim falja publike e kryeministrit dhe mbi të gjitha edhe dorëheqja e titullarit kryesor të Ministrisë, Lleshaj. Paçka aludimeve ky veprim i fundit ka vendosur një cak atë të ndershmërisë institucionale. Nuk po bëjmë krahasimet me paraardhësit, sepse shumë syresh janë fshehur pas kryeministrave dhe sot të tjerë bëjnë kompetentin. Është e vërtetë që në protestë nuk mund të kesh disa herë kontroll të turmës, por nuk është e vërtetë që të mos tregosh organizatorët edhe de jure. Studentët e pësuan pikërisht nga ky element, që nuk u përballën asnjëherë direkt, paçka se protesta e tyre ishte shumë më qytetare, më potente dhe mbi të gjitha idilike, derisa ia behën ata. Politikanët e të gjithë krahëve. Tashmë, emisarët e opozitës që fshihen, duhet të përshfaqen dhe të mos fërkojnë duart, pas kuintave. Tek e fundit, do të jetë radha e tyre, që këta të rinj të përdoren, po njësoj. Dhe, reagimi i njerëzve të PD-së dihet: Dhuna pa fre.
Veçse protesta, që erdhi në një kohë të vështirë, po merret peng. Për të ndjerin do të donin të bënin përshpirtje të gjithë shqiptarët, kudo që të ishin; për teprimet e policisë do të donin të protestonin shumë më tepër sesa grupet e sherreve; për situatën ekonomike do të donte të protestonte i gjithë vendi. Dhe, mbi të gjitha, nëse protesta do të kishte sloganin: “Duam të jetojmë në Shqipëri” do të qëndronin e mblidheshin shumë më tepër. Vetëm se kësaj logjike nuk i shkon PD-ja, që mendon se duke e radikalizuar mund të përfitojë kundër Ramës, që ndërkohë bën fushatën e tij të qetë dhe përfiton nga gabimet që opozita ia fal për çdo kohë, madje edhe atëherë kur ai nuk e mendon dhe nuk e planifikon. Kjo është më e dhimbshme, përveç asaj të madhes, që tashmë është harruar: U vra një djalë fare i ri. Ndërsa, Ju, që organizoni dhe nuk dilni ballaz, po e merrni peng protestën, ashtu si bëtë me studentët dhe gjithçka për ta përdorur shëmtuar. Bëni, megjithatë çfarë të doni, derisa edhe ligji ju toleron, por mos e merrni peng të paktën edhe protestën e qytetarit shqiptar. (Javanews)