Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj ka folur në lidhje me skemën e sistemit të ri të fiskalizimit në Shqipëri. Ibrahimaj qartësoi se ky sistem për vitin që vjen do të jetë i ndarë në tre faza, të cilat pritet që të lehtësojnë punën e bizneseve dhe jo vetëm, në deklarimin dhe faturimin elektronik në lidhje me shërbimet. “Faza e parë transaksionet që kryejnë bizneset ndaj enteve publike, që fillon me 1 janar. Faza e dytë, transaksionet që kryejnë bizneset ndërmjet njëri-tjetrit që fillon me 1 korrik. Faza e tretë, transaksionet që kryehen nga bizneset me para në dorë, më 1 shtator. Këto faza do të jenë të gjitha elektronike, pra do të lëshohet fatura elektronike dhe do të raportohen në kohë reale në administratën tatimore”, tha ajo e ftuar sot në RTV Ora.

Brahimaj shtoi se “do të ketë një ndryshim thelbësor në mënyrën e faturimit të bizneseve, që i shërben kryesisht modernizimit të kësaj forme, i shërben uljes së informalitetit dhe rritjes së të ardhurave, i shërben uljes së kohës që bizneset kanë për të përmbushur detyrimet tatimore sepse nuk do të ketë më fatura dhe blloqe TVSH-je në dorë”. “Harxhojnë kohë për bizneset, por do të ketë vetëm fatura elektronike që shërbejnë për të parambushur librat e shitjes dhe të blerjes nga bizneset që deri tani janë hedhur në sistemin e Tatimeve manualisht”.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve sqaroi edhe arysen pse janë marë këto vendime. “Janë tre elementë të ndërthurur me njëri-tjetrin. Procesi i faturës elektronike është një proces që nuk po ndodh vetëm në Shqipëri, por në shumë vende të Europës. Është zbatim i një direktive të BE, pra ne po shkojmë në hapjen e administratave moderne tatimore që funksionojnë me këto fatura”, theksoi ajo.

Delina Ibrahimaj ka qartësuar edhe idenë e të funksionuarit online nëpërmjet programit tatimor “SelfCare”. Ajo tha se në këtë portal bizneset e vogla do të kenë mundësinë për të lëshuar faturat e tyre, ndërkohë që çdo tatimpagues do të ketë një nënshkrim elektronik të detyrueshëm. “Për të gjithë biznesin e vogël që ka vështirësi është marrë masa që të përdoret portali “SelfCare” që është portali i fiskalizimit, për të ndryshuar fatura”. “Nëse më parë një biznes i vogël duhej të blinte një kasë për të lëshuar kuponin tatimor, tashmë mund të përdorin platformën online dhe ti lëshojnë nëpërmjet saj faturat. Çdo tatimpagues në Shqipëri duhet të ketë nënshkrimin elektronik që është i detyrueshëm për të gjithë tatimpaguesit, por jo vetëm për procesin e fiskalizimit, por për të gjitha shërbimet që kryhen online”.

“Për të gjitha shërbimet që ofrohen nga e-albania, tatimpaguesit duhet të marri certifikatën elektronike që të nënshkruajnë elektronikisht të gjitha faturat. Ky është një detyrim ligjor që tatimpaguesit dhe bizneset kanë, ndonëse deri tani nuk është përforcuar dhe nuk është i lidhur me procesin e fiskalizimit, por me aplikimet elektronike që ato bëjnë për veten e tyre”, – u shpreh Ibrahimaj.