Përfaqësues të Komisionit Europian dhe të Shqipërisë zhvilluan të enjten, një takim online ku diskutuan mbi ecurinë e Programit IPARD në vendin tonë. Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca u shpreh se raportoi në Nënkomitetin për Bujqësinë dhe Peshkimin me Komisionin Europian, për ecurinë e programit IPARD dhe qëndrueshmërinë e strukturës së AZHBR-së. “Më erdhi mirë të dëgjoj se IPARD ka bërë progres të admirueshëm”- tha Krifca.

Ajo theksoi se, “sfida të mëdha i kemi vënë vetes përpara për përmbushjen e të cilave edhe më shumë punë e bashkëpunim nevojitet”. Objektivat e masave mbështetëse të Programit IPARD janë në përputhje me objektivat e dokumentit strategjik kombëtar (DSK) dhe kontribuojnë për mbështetjen e investimeve në sektorin e bujqësisë dhe agroindustrisë me qëllim përmirësimin e konkurrencës, pajtueshmërinë me standardet e BE-së dhe ruajtjen e natyrës dhe mjedisit, mbështetjen e investimeve në zonat rurale me qëllim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e biznesit, duke çuar në përmirësimin e mundësive të punësimit dhe përfshirjes sociale. Fondi në formë granti prej 94 milionë euro i vënë në dispozicion përmes programit IPARD nga Bashkimi Europian në vlerën 71 milionë euro dhe qeveria shqiptare 24 milionë euro, adreson mbështetje financimi në bujqësi për të gjitha degët e këtij sektori.