Nga sot Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale, pasi presidenti Ilir Meta emëroi gjyqtarin e gjashtë, Përparim Kalon. Mes Aleksandër Tomës e Përparim Kalos, Ilir Meta ka zgjedhur Kalon. Më herët sot, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgoi Metës dy kandidatura, përkatësisht të Kalos dhe atë të Aleksandër Tomës.

Kalo është anëtari i gjashtë i Gjykatës Kushtetuese, duke e bërë tanimë këtë gjykatë funksionale dhe duke përmbushur një kërkesë të ndërkombëtare për vënien në funksion brenda këtij viti.

Dekreti i Metës: Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka administruar sot nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese (vakancë e parakohshme).

Sipas praktikës dokumentare të dërguar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimin nr. 59, datë 23.12.2020, ka vendosur miratimin e listës përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018, e rishpallur në datën 27.09.2019 dhe e rishpallur për herë të tretë në datën 24.09.2020, me renditjen e kandidatëve si më poshtë:1) Përparim Kalo 90.29 Pikë 2) Aleksandër Toma 75.57 Pikë
Presidenti Meta, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes, vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi; si dhe duke vlerësuar njëkohësisht nevojën jetike që ka vendi për plotësimin dhe funksionimin sa më parë të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim të shqyrtimit, në mbështetje të neneve 93, 125 pika 1, 127 pika 3, 129, 149/d pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, 7/dh pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pa asnjë vonesë, me Dekretin nr. 11882, datë 23.12.2020, ka vendosur që: – Zoti Përparim Kalo emërohet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.