Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, prof. Albana Fico, është shprehur se testi i shepjtë i antigenit ka një siguri të lartë dhe do të forcojë kapacitetet aktule të testimit.
“Ashtu siç e kemi thënë në strategjinë tonë të vjeshtë-dimrit ne funksion të kufizimit të përhapjes se infeksionit kemi siguruar testet e shpejta të antigenit, të cilat i shtohen kapaciteteve aktuale të testimeve PCR, duke siguruar më shumë akses për qytetarët për testimin e sigurt. Janë siguruar në kontratën e parë 100 mijë teste të shpejta të antigentit. Do të vijojë furnizimi ndërkohë që ne vijojmë paralelisht edhe testimin PCR. Sot testimi i shpejtë ka nisur në Tiranë, janë epidemiologët në terren ata që përcaktojnë vatrat, në funksion të hetimit epidemiologjik. Vatrat e evidentuara që do të vlerësohen prej tyre si me rëndësi në transmetimin e infeksionit. Testet janë të një standardi të një cilësie të lartë, çertifikuar nga OBSH ”, tha prof.Fico.

Drejtoresha e ISHP deklaroi se pas datës, 20 testimi i shpejtë do të vendoset në administrim edhe të mjekut të familjes.
“Pas datës 20, do të vijohet dhe shpërndarja e testeve dhe në rrethe. Pacientët do të referohen nga mjeku i familjes. Ky rekomandim mban parasysh diferencat; pse teste të shpejta dhe jo PRC. Që nga fillimi i pandemisë është përmirësuar cilësia e testeve. Testet e shpejta funksionojnë shumë mirë në 5-ditëshin e parë ku ngarkesa virale është më e madhe. Edhe kur kemi simptoma, me kalimin e ditëve, fillon e bie virulenca. Mjekët e familjes pas datës 20, do të referojnë një kategori të caktuar pacientësh që përmbushin ato kushte, si, personat që shërbejnë në komunitete të caktuara, në ambiente të mbyllura, në dhënien e shërbimit ndaj të moshuarve”, tha Fico. Gjatë një interviste për News 24 Fico theksoi se fillimi i pandemisë në vendin tonë ka nisur me 150 testime në ditë ndërsa sot është dhjetëfishuar numri i testimeve.

“Testimi në vetvete nuk është qëllim, por instrument që të lejon që të detektosh. Nuk ka test që nuk ka përqindje gabimi. Po të mendosh se si nisi ISHP me 150 teste në ditë, sot jemi tek 10-fishi”, tha Fico.